PD ankimon rezultatin në Korçë, kërkon ripërsëritje të zgjedhjeve në këtë qark

Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ka ankimuar pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun Korçë.

Pas ankimimeve në qarqet Kukës dhe Berat, PD kërkon edhe shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në të gjithë qarkun e Korçës dhe përsëritjen e votimeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur dhe zyrtarizuar procesin zgjedhor, duke certifikuar rezultatet për të 12 qarqet e vendit.

Sipas tabelave përfundimtare, Partia Socialiste siguroi 83 mandate, koalicioni PD-ADSHM mori 50 vende në Kuvend, ndërsa forcat e reja politike ndanë 7 mandate: 3 për PSD, 2 për partinë Mundësia, dhe nga 1 për Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet.

Partia Demokratike pretendon për një “masakër zgjedhore”, teksa të njëjtin hap tha se do e ndjekë edhe me qarqet e tjera.


Shtuar 27.05.2025 10:55