Pastruan 1.25 mln euro, GJKKO dënon me 22 vite burg ish-drejtoreshën e Kadastrës Durrës dhe 3 të tjerët

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shpallur vendimin përfundimtar për çështjen penale që përfshin katër të pandehur të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e pastrimit të parave.

Pas shqyrtimit me procedurë të shkurtuar, trupa gjykuese vendosi të shpallë fajtor Besjan Ramaj për “pastrim parash” në bashkëpunim dhe u dënua me 10 vite burg, i reduktuar përfundimisht në 6 vite e 8 muaj.

Leonard Ramaj, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, i reduktuar në 5 vite për të njëjtën vepër penale.

Ardjan Malasi, mori një dënim prej 9 vitesh, i reduktuar përfundimisht në 6 vite burg.

Ndërsa ish-drejtoresha e Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi, u dënua me 7 vite, por pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 4 vite e 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në provë për 3 vite.

Gjykata vendosi gjithashtu, sekuestrimin e disa pajisjeve elektronike, dokumenteve dhe shumave të parave, të cilat konsiderohen prova materiale në këtë çështje.

Disa prej tyre do t’u kthehen të pandehurve dhe një pale të tretë, ndërsa pjesa tjetër do të qëndrojë në fashikullin gjyqësor si prova.

Dosja

Kujtojme qe nje vit me pare SPAK dergoi për gjykim dosjen për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, dy vëllezërit e dënuar për drogë Besjan e Leonard Ramaj dhe biznesmenin Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim parash.

Sipas dosjes hetimore, Dashi kishte arritur të ndihmonte në pastrimin e 1.2 mln euro pasuri të vëllezërve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin në fjalë përmes akteve të shitjeve fiktive për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.

Njoftimi i GJKKO sot (20 tetor):

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 18, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025 vendosi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 vite burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal.

3. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besjan Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.

4. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.

6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.

7. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonard Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.

8. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 9 vite burgim.

10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.

11. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ardjan Malasi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite burgim.

12. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i arrestimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

13. Deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Dashi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e saj me 7 vite burgim.

14. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Rajmonda Dashi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim.

15. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurën Rajmonda Dashi, për një periudhë kohe prej 3 vitesh me kusht që gjatë kësaj kohe, të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

16. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 234 dhe 233 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Dashi me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

17. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale provat materiale si: aparat telefonik celular i markës “Nokia”, model “3310 TA-1006”, me kartë sim të kompanisë “Vodafone” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; Aparat telefonik celular i markës “iPhone X”, me kartë sim të kompanisë “One” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; Aparat telefonik celular i markës “iPhone 13”, sekuestruar shtetases Rajmonda Dashi; Njësi kompjuterike sekuestruar në zyrën e shoqërisë “Ledio 04” me numër serial **** dhe shuma e parave prej 2095 euro dhe 239500 lekësh sekuestruar në automjetin e të pandehurit Ardjan Malasi.

18. Qëndrimin në fashikull të provave materiale: DVD me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 49 datë 28.03.2024; USB e markës “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 55 datë 03.04.2024; Hard disk i jashtëm markës “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 184; Fotokopje e regjistrit noterial me mbishkrimin në kapakun me ngjyrë vishnje, noter L.M. Në faqen e parë të regjistrit noterial fillon me aktin noterial nr. **** rep. Nr. ****kol. datë 13.06.2023 dhe veprimi i fundit noterial është me nr. **** rep. datë 05.10.2023, gjithsej 78 fletë, sekuestruar shtetasit L.M, me proceverbalin e datës 09.11.2023; Dokumentave të sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri  1 deri në numrin rendor 31 sekuestruar në banesën e të pandehurit Ardjan Malasi; Dokumentave të sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 2 deri në numrin rendor 7 sekuestruar në banesën e të pandehurës Rajmonda Dashi.

19. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të K.Pr.Penale kthimin e provave materiale të pandehurve: Njësi qëndrore e markës “Dell”, me Service tag ****, Express Service Code ****, sekuestruar shtetasit L.M me proceverbalin e datës 09.11.2023. nëntë 9 (nëntë) regjistra noterial sekuestruar shtetasit L.M, me proceverbalin e datës 09.11.2023, shtetasit L.M. Një çantë krahu lëkure me rrip, me ngjyrë blu e errët, me mbishkrimin “ARMANI JEANS”, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi. Pasaportë shqiptare e shtetases Rajmonda Dashi me nr. ****.

20. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. 21. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

 


Shtuar 20.10.2025 12:51