Pasqyra e Erdoganit dhe gabimet e Perëndimit

Nga Alexis Papachelas “Kathimerini

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të gjithë po përpiqemi të hamendësojmë se çfarë politike të jashtme do të ndjekë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pas rizgjedhjes së tij në detyrë, ndaj Perëndimit dhe natyrisht ndaj Greqisë. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne duhet të dimë nëse dhe sa varet Erdogan nga SHBA-ja dhe Evropa për ta përballuar krizën e madhe ekonomike me të cilën po përballet vendi i tij.

Disa analistë me përvojë, besojnë se ai do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të shmangur përfshirjen e Perëndimit në një operacion të mundshëm “shpëtimi financiar” për ekonominë turke, sepse ai erdhi në pushtet pasi Turqia kishte miratuar një program mbikëqyrjeje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ai i di mirë pasojat politike.

Po ashtu ata theksojnë faktin se Turqia nuk pret më shumë nga marrëdhënia e saj me Bashkimin Evropian, në dallim nga vitet 2000 kur pritshmëritë ishin shumë të larta. Por në ekuacion ka hyrë edhe një faktor tjetër. Erdogan beson se ka gjetur partnerë strategjikë, financues dhe bashkëbisedues jashtë kampit perëndimor.

Katari po i ofron para, Rusia po e paguan shumë për të anashkaluar sanksionet perëndimore, ndërsa Arabia Saudite duket se do t’i ofrojë atij një paketë të jashtëzakonshme ndihme prej 50 miliardë dollarësh.

Këto marrëdhënie i sjellin një avantazh të rëndësishëm Erdoganit. Për me tepër ato nuk varen në asnjë mënyrë nga shkelja e të drejtave të njeriut në Turqi, nëse mbizotëron sundimi i ligjit etj. Atyre nuk u interesojnë fare këto gjëra. Sepse kanë një marrëdhënie shumë cinike dhe transaksionale me Turqinë dhe Erdoganin.

Këto marrëdhënie nuk ndërmjetësohen nga një Kongres apo organizatat për të drejtat e njeriut. Dhe sigurisht, asnjë nga partnerët e Turqisë nuk i shqyrton këto marrëdhënie përmes prizmit të marrëdhënieve greko-turke. Ata nuk shqetësohen për këtë çështje. Megjithatë, Erdogan nuk mund t’ia mbyllë plotësisht derën Perëndimit.

Nuk i leverdis dhe nuk do ta bëjë këtë. Në mënyrë ideale, ai do të donte të siguronte fonde nga burime joperëndimore për të kapërcyer krizën financiare, për të vazhduar me blerjen e avionëve F-16 nga Shtetet e Bashkuara për shkak se forcat ajrore të Turqisë kanë shumë nevojë, për të qenë kanali kryesor i anashkalimit të sanksioneve kundër Moskës.

Por në të njëjtën kohë edhe të luajë rolin e një shteti-anëtar të rëndësishëm të NATO-s. SHBA-ja dhe Evropa do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtin gabim. Nga frika e “humbjes së Turqisë”, ata do të justifikojnë sjellje të ndryshme, edhe kur kërcënohen drejtpërdrejt interesat e Aleancës Perëndimore.

Çfarëdolloj zemërimi që mund të ketë në prapaskenë për veton e Turqisë kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO apo anashkalimin e sanksioneve, në fund mbizotëron pikëpamja “ta marrim shtruar me Erdoganin!”.

Kjo është sigurisht e vërtetë në Berlin, ndonjëherë në Bruksel dhe sigurisht në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit në Uashington. De-përshkallëzimi aktual i tensioneve me Greqinë duket se po vazhdon, dhe është shumë pozitive që në krye të Ministrisë së Jashtme është vendosur një diplomat me shumë përvojë dhe i matur, sepse tundimi i një përshkallëzimi të panevojshëm është gjithmonë aty.

Por le të jemi realistë. Erdogan del në pasqyrë dhe e sheh veten si një udhëheqës i fuqishëm i një fuqie të re, pa nevojë t’i bindet Uashingtonit apo Evropës. Pazari me Perëndimin, si dhe marrëdhëniet greko-turke, do të vazhdojnë të jenë me shumë ulje-ngritje, ndonjëherë edhe me kriza. /albeu.com


Shtuar 14.06.2023 12:11