Teksa prej vitesh bregdeti iu nënshtrua projekteve të investimeve strategjike, diçka jo pak e kontestuar për modelin e zhvillimit që po formësohet në këtë pjesë, duket se tani radha është e maleve.
Një projektligj i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i emërtuar “Për shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore poseduesëve faktikë jopronare në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” parashikon procedurat dhe kushtet që duhet të plotësojnë subjektet e interesuar, për të zhvilluar projektet e tyre në tokat që do të merren me çmimin simbolik 1 euro.
Referuar draftit nënvizohet se qëllimi i këtij ligji, është nxitja dhe tërheqja e investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në ato zona rajonale dhe/ose lokale, të cilat për shkak të burimeve natyrore, trashëgimisë së pasur kulturore dhe gamën e gjerë të aktiviteteve në natyrë që ofrojnë konsiderohen, si zona të një rëndësie të veçantë me përparësi zhvillimin malor dhe kanë nevojë për mbështetje të posaçme me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shfrytëzimin me eficience të burimeve të natyrës, mbrojtjes së ekosistemit dhe vlerave territoriale.
Në nenin 8 të draftit specifikohet se “në zonat e përcaktuara, ministria përgjegjëse vendos për kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1(një) euro, të gjitha pasuritë e paluajtshme shtetërore me posedues faktik jopronar, të transferuara në pronësi të saj sipas parashikimeve të këtij ligji, pavarësisht zërit kadastral të saj si troje, tokë bujqësore, pyje, kullota, me kusht që të plotësohen kriteret e përcaktuara në nenin 6 të këtij ligji dhe kushtet e zhvillimit në përputhje me dokumentet e miratuara të planifikimit në zonën e përcaktuar”.
Projektligji saktëson hallkat institucionale që angazhohen për të bërë verifikimet mbi pasuritë disponueshme për këtë politikë, konsultimet publike që bëhen në njësitë e vetëqeverisjes vendore, paraqitjen e kërkesës nga investitorët.
Ky draft pritet që pas miratimit të shoqërohet me akte të tjera nënligjore që do ta bëjnë atë të zbatueshëm, si dhe do të detajojnë më shumë procedurat./Monitor.al