Pas Vlorës dhe Fierit, Rama kërkon dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë së Durrësit

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me takimet e radhës ditën e sotme në bashkitë e vendit.

Pas Fierit, ku ishte pak orë më parë dhe ku kërkoi largimin nga detyra të të gjithë drejtorëve vendorë të bashkisë Fier, Rama ka shkuar në Durrës për një takim në bashkinë e qytetit, me drejtues vendorë dhe me deputetët e qarkut.

Burime pranë mbledhjes bëjnë me dije se në takim ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e institucioneve në varësi të Bashkisë së Durrësit, përfshirë drejtorin e Policisë Bashkiake Vasil Copa, drejtorin e Shërbimeve Ardian Ilazaj, drejtoreshën e Buxhetit Valbona Dako, drejtoreshën e Çështjeve Juridike Ani Rroshi dhe drejtoreshën e Burimeve Njerëzore Dhurata Gjoka.

Të pranishëm ishin edhe deputetët që po mbyllin mandatin aktual, si dhe ata që pritet të jenë pjesë e legjislaturës së re, Ani Dyrmishi, Etleva Budini dhe Arkend Balla.
Vizita e Kryeministrit në Durrës duket se ndjek të njëjtin format si në Vlorë dhe Fier, ku qëllimi është rifreskimin e drejtuesëve në varësi të bashkisë Durrës.

Mësohet se Rama ka kërkuar rifreskimin e të gjithë drejtorëve që janë aktualisht në varësi të bashkisë, ndërsa vendimi përfundimtar për largimin e tyre do të mbetet në dorën e kryebashkiakes Emiriana Sako, bazuar në performancën e secilit prej tyre.


Shtuar 8.07.2025 19:16

Tags: ,