Nëse sot shumë qytetarë në Tiranë për të shkuar në shkollë apo në punë janë të detyruar të presin gjatë që autobusi t’u vijë në stacion, pas dy -tre ditësh do t’ju duhet ta marrin rrugën në këmbë.
Konstandin Foni nga Shoqata e Transportit Publik thotë se rezerva e karburantit po ju mbaron dhe operatorët do të pezullojnë shërbimin. Me rritjen e çmimit të karburantit kostot për kompanitë e transportit janë shtuar. Vetëm plotësimi i kërkesave që kanë parashtruar shprehen operatorët mund ti nxjerrë nga kriza financiare.
Tetorin e vitit të shkuar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj premtoi lëvrimin e një fondi prej 1 milionë euro, për rimëkëmbjen e transportit publik, por Foni nga Shoqata e Transportit thotë se paratë nuk iu kanë kaluar në llogari.
Prej tre ditësh operatorët e transportit publik në kryeqytet kanë reduktuar numrin e autobusëve në qarkullim dhe kanë paralajmëruar dyfishimin e çmimit të biletës. Situatë kjo që ka vënë në vështirësi qytetarët. Për zgjidhjen e saj Abc për të dytën ditë pyeti në Bashkinë e Tiranës, por nuk mori përgjigje. /abcnews.al