Pas skandalit erotik, Gjici “çon” kuksianët sërish në votime, Celibashi: Do të kemi një proces zgjedhor nga e para

Pas skandalit erotik të ish-kryetarit të bashkisë Kukës, Safet Gjici, kuksiantë do tu drejtohen sërish qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të duhet të duhet të shpallë brenda 4 javëve datën e re të zgjedhjeve për Bashkinë e Kukësit.

Por Këshilli i Ministrave nuk ka dorëzuar ende në Presidencë vakancën për t’I hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Kjo vonesë, sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi heq mundësinë për të bërë zgjedhje në të njëjtën ditë me bashkinë e Rrogozhinës.

“Për Kukësin nuk ka ndonjë afat në lidhje me njoftimin nga Këshilli i Ministrave për krijimin e vakancës. E shoh të vështirë të kombinojnë datat pasi çdo ditë që ikën, heq mundësinë që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën datë”, tha Celibashi.

Sa i përket Rrogozhinës, KQZ do të shfrytëzojë afatin maksimal në dispozicion për të organizuar zgjedhjet.

“Do duhet të presim edhe shqyrtimin e fundit në Kolegjin Zgjedhor për Kuçovën. Nëse Kolegji do të vendosë brenda kësaj jave mbi këtë çështje, ne do preferonim të merrnim një vendim në fillim të javës tjetër, duke pasur si datë të mundshme 23 Korrik, si një datë të përshtatshme edhe në kuptimin e kohës në dispozicion për të realizuar zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Fushata e kandidatëve duket se vështirësohet më shumë në Kukës.

“Nëse flasim për Rrogozhinën do të kemi të njëjtët kandidatë, të njëjtat subjekte zgjedhore. Ndërsa në rastin e Kukësit, do të kemi një proces zgjedhor nga e para, me kandidatë të rinj, listë të re zgjedhësish”, tha Celibashi.

Drejt përsëritjes së zgjedhjeve edhe Bashkia e Himarës

Ndërkohë përsëritje zgjedhjesh mund të kemi edhe në Bashkinë e Himarës, pasi është drejt skadencës afati për betimin para Këshillit Bashkiak i Fredi Belerit, i cili edhe pse u arresua dy ditë para zgjedhjeve u shpall fitues.

Kujtojmë që Fredi Beleri u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve me akuzën e blerjes së votave, ndërkohë që vijon të jetë në burg.

Sipas Kodit Zgjedhor, nëse fituesi i zgjedhjeve brenda 45 ditësh nuk bën betimin para Këshillit Bashkiak, Këshilli i Ministrave e shkarkon, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Duhet theksuar se Belerit i kanë ngelur në dispozicion edhe 13 ditë për të bërë betimin, në të undërt Presidentit të Republikës do i duhet që brenda katër javëve të shpallë datën për zhvillimin e zgjedhjeve edhe në këtë bashki./albeu.com/


Shtuar 20.06.2023 21:35