Moderatori i njohur Florian Agalliu ka shënuar një fitore të rëndësishme në betejën ligjore ndaj Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Ai kishte ngritur padi ndaj institucionit publik për shkelje të të drejtave dhe moszbatim të detyrimeve kontraktuale. Pas shqyrtimit nga gjykata kompetente, vendimi përfundimtar u shpall më 28 janar, duke i dhënë të drejtë Agalliut.
Në përfundim të procesit gjyqësor, RTSH u shpall përgjegjës për shkeljet e konstatuara ndaj moderatorit dhe u detyrua të shlyejë plotësisht detyrimin financiar të përcaktuar nga gjykata.
Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë përplasjesh dhe procedurash ligjore, duke e kthyer çështjen në një precedent të rëndësishëm për marrëdhëniet kontraktuale në sektorin mediatik shqiptar. Florian Agalliu, e cilësoi vendimin si një konfirmim të rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave të profesionistëve të medias.
Radiotelevizioni Shqiptar po përballet me akuza të forta për keqmenaxhim fondesh, teksa gazetarë dhe moderatorë denoncojnë vonesa mujore në pagesa. Pas reagimeve publike nga Kozeta Kurti dhe Florian Agalliu, dokumentet tregojnë shpenzime luksi për garderobë, me kostume deri në 1 mijë euro dhe këmisha 250 euro, pa kontrata të rregullta justifikuese. Kontrasti mes këtyre shpenzimeve dhe mungesës së pagesave ka shkaktuar indinjatë, ndërsa drejtoresha Eni Vasili deklaron se menaxhmenti i ri ka trashëguar një situatë të rëndë borxhesh nga e kaluara.
