Pas SHBA, Britania e Madhe evakuon diplomatët dhe familjet e tyre nga Sudani

Diplomatët e Mbretërisë së Bashkuar dhe familjet e tyre janë evakuuar nga Sudani pas një “përshkallëzimi të konsiderueshëm të dhunës”, tha kryeministri britanik Rishi Sunak.

Sunak tha gjithashtu se po punonte për të siguruar që qytetarët britanikë që janë ende në vend, të jenë të sigurt.

Ai tha se evakuimi i diplomatëve dhe të dashurve të tyre ishte “kompleks dhe i shpejtë” dhe erdhi mes kërcënimeve ndaj stafit të ambasadës në kryeqytetin Khartoum.

Më shumë se 1200 personel nga 16 Brigada Sulmuese Ajrore, Marinsat Mbretërore dhe RAF u përfshinë në “operacionin e vështirë”.

Sunak tha se ai “po vazhdonte të ndiqte çdo rrugë për t’i dhënë fund gjakderdhjes” ndërsa u kërkoi palëve ndërluftuese të dorëzonin armët dhe “të zbatonin një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të siguruar që civilët të largohen nga zonat e konfliktit”./albeu.com


Shtuar 23.04.2023 15:04