Pas humbjes së votës së besimit në Asamblenë Kombëtare, Kryeministri francez François Bayrou pritet t’i paraqesë zyrtarisht dorëheqjen Presidentit Emmanuel Macron në mëngjesin e së martës, sipas mediave franceze.
Bayrou do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë në mënyrë të përkohshme si kryeministër kujdestar, derisa të emërohet një pasues i ri. Por rruga përpara është e pasigurt dhe plot sfida për presidentin Macron, i cili tani përballet me tri opsione kryesore, asnjëri prej tyre i lehtë apo i pëlqyeshëm politikisht, raporton BBC.
1. Emërimi i një kryeministri të ri
Macron mund të përpiqet të formojë një qeveri të re duke emëruar një tjetër kryeministër. Por gjetja e një figure që mund të pranohet nga shumica e fragmentuar parlamentare është një sfidë e madhe. Edhe vitin e kaluar, procesi i emërimit zgjati disa javë dhe u shoqërua me bllokime politike. Çdo emër i propozuar mund të përballet menjëherë me kundërshtim nga një prej grupimeve të mëdha parlamentare, përfshirë të majtën radikale dhe të djathtën ekstreme.
2. Zgjedhje të parakohshme parlamentare
Një tjetër skenar është shpërndarja e Asamblesë Kombëtare dhe thirrja e zgjedhjeve të reja, por kjo është një rrugë me shumë rrezik. Zgjedhjet mund të rezultojnë në një fitore edhe më të thellë për të djathtën ekstreme, përkatësisht për Tubimin Kombëtar të udhëhequr nga Marine Le Pen, e cila ka qenë në rritje të vazhdueshme në sondazhe.
3. Zgjedhje presidenciale të parakohshme, një skenar i papëlqyeshëm për Macron
Ndërsa disa forca politike kanë kërkuar shpalljen e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme, Macron i ka hedhur poshtë këto thirrje, duke deklaruar më herët se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Edhe sikur të ndodhte, ai nuk mund të rikandidojë, pasi ndodhet në mandatin e tij të dytë, që përfundon në vitin 2027.
Përballë një krize të thellë politike, çdo vendim i Macron mund të ketë pasoja afatgjata për stabilitetin institucional dhe për të ardhmen e qendrës politike në Francë.