Ish-deputeti Aldo Bumçi është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Bumçi është paraqitur pranë strukturës antikorrupsion rreth orës 9:30 të mëngjesit për të dëshmuar lidhur me çështjen e Gërdecit. Raportohet se ai do pyetet si person që ka dijeni. Më herët, Bumçi ishte paraqitur vetëm në Prokurori.
Për çështjen “Gërdeci” hetimet u rihapen pas kërkesës së prokurorisë për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu.
SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë. Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues. Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.