Pas përplasjes fizike, Top Channel largon dy moderatoret e “Wake Up”

Një lëvizje e papritur ka ndodhur në Top Channel, ku drejtuesit e televizionit kanë vendosur të largojnë nga “Wake Up” moderatoret Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj. Vendimi vjen pas një periudhe të gjatë tensionesh mes dy prezantueseve, të cilat, sipas burimeve të VoxNews, kanë ndikuar drejtpërdrejt në atmosferën e punës dhe ecurinë e programit.

Raportet midis Enxhit dhe Neadës prej kohësh nuk kanë qenë të mira. Fillimisht konfliktet kanë nisur me mosmarrëveshje të vogla në prapaskenë, por situata është përshkallëzuar deri në momente ku debati verbal është kthyer në përplasje fizike.

Në puntatën e fundit ku të dyja ishin të pranishme, tensioni ishte i dukshëm edhe për publikun. Ftohtësia mes tyre reflektohej në kamera, ndërsa bashkëmoderatori Blendi Salaj vihej në një pozicion delikat duke u përpjekur të mbante ekuilibrin dhe të shmangte përplasjet live.

Prej kohesh, Blendi, Enxhi dhe Neada kishin krijuar një identitet të fortë si treshe në ekranet e mëngjesit, duke shoqëruar publikun me energji dhe informacione që në orët e para të ditës. Largimi i dy moderatoreve përbën një ndryshim të madh për programin dhe lë hapur shumë pikëpyetje mbi drejtimin që Top Channel do i japë “Wake Up” në vazhdim.

Deri tani, nuk ka një prononcim publik nga Enxhi dhe Neada, ndërsa Top Channel pritet të sqarojë së shpejti se kush do të marrë drejtimin e programit pas largimit të tyre.


Shtuar 17.11.2025 17:52