Pas kongresit, LSDM vendos për fatin e ministrave

Organet e reja të LSDM-së, të cilat duhet të formohen në Kongresin që do të mbahet gjatë javëve të ardhshme, do të shqyrtojë punën e funksionarëve të pushtetin ekzekutiv dhe do të vendosë nëse ata do të mbesin ose jo në funksionet e tyre aktuale edhe në Qeverinë e ardhshme.

Kongresi jo zyrtarisht pritet të mbahet nga fundi i muajit dhjetor. Në të do të konfirmohet edhe mandati i kryetarit të ri të LSDM-së Dimitar Kovaçevski i cili një ditë më parë mori mbi 37 mijë vota nga mbi 44 mijë anëtarë të LSDM-së që votuan gjithsej.

“Propozimi i ministrave, gjegjësisht zgjedhjeve kadrovike në LSDM bëhet nga ana e organeve të partisë që nënkupton se do të duhet ta presim vendimin e kryesisë qendrore për atë se cilët janë anëtarët tanë të cilët do të vazhdonin në resorët të cilat do të drejtojë LSDM-ja në Qeveri.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryetar i sapozgjedhur i LSDM-së.

I pyetur nëse do të jetë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se kjo çështje i takon mandatarit Kovaçevski.
Kjo nuk është pyetje për mua, por për mandatarin i cili do të vendosë cilin do ta ketë ministër”- pohoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Kovaçevski, në paraqitjen publike para mediave pas fitores, deklaroi se do të ketë ndryshime kadrovike edhe brenda LSDM-së, përskaj disa prej emrave që aktualisht drejtojnë socialdemorkatët. Ai tha do të hapë rrugën për frymë të re në parti.

“Unë disa herë kam thënë se kjo udhëheqësi e partisë, kryesia qendrore dhe ekzekutive janë zgjedhur para vetëm shtatë muajsh. Në mesin e tyre ka një numër të madh profesionistësh, njerëz të cilët karrierën e tyre e kanë ndërtuar si në parti ashtu edhe në profesionet që punojnë. Por unë do ta shfrytëzoj të drejtën statutare që më propozimin tim të propozoj anëtar të kryesisë qendrore dhe më pas të formojmë kryesinë ekzekutive dhe kryesinë e cila në mënyrë më të mirë do t’i pasqyrojë përcaktimet programore.”- tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i sapozgjedhur i LSDM-së.

Kryeministri aktual Zoran Zaev do të japë dorëheqje nga pozita e të parit të ekzekutivit pasi të përfundojnë procedurat aktuale në LSDM për riorganizimin kadrovik. Me konstatimin e dorëheqjes së tij, konstatohet dorëheqja e të gjithë Qeverisë. Dimitar Kovaçevski do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë në afat prej dhjetë ditësh nga konfirmimi i shumicës parlamentare në Kuvend. ai do të duhet t’i prezantojë Kuvendit kabinetin e ri qeveritar dhe programin e Qeverisë. Procedura në tërësi nuk pritet të rrumbullakohet para gjysmës së dytë të muajit janar./alsat


Shtuar 13.12.2021 19:05