Një valë dorëheqjesh ka përfshirë Bashkinë e Durrësit, ku drejtues kryesorë të drejtorive dhe kryetarët e njësive administrative, kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.
Lëvizja vjen vetëm pak ditë pas shkarkimeve masive në Bashkinë e Vlorës dhe paralajmërimeve të forta nga Kryeministri Edi Rama për një “vetëpastrim” të thellë në administratën vendore, në funksion të reformës së paralajmëruar për zhvillimin dhe kontrollin e territorit.
Një komision i ngritur pranë Bashkisë së Durrësit, pritet të vendosë në ditët në vijim se cilat prej dorëheqjeve do të pranohen dhe cilët drejtues do të qëndrojnë në detyrë.
Përveç drejtorëve të Bashkisë së Durrësit, dorëheqjen kanë dorëzuar dhe ata të Fierit e Vlorës.
Kryeministri Edi Rama, ka vizituar bashkitë pas një nisme kombëtare të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike të zëna në formë të paligjshme nga pronarët dhe të vëna në përdorim për përfitimin në biznesin e tyre.
Gjithashtu, kryeministri është shprehur se strukturat drejtuese kanë nevojë për një reformim rrënjësor, ndërsa u ka bërë thirrje të rinjve për të kandiduar tashmë në pozicionet vakante në 3 bashkitë, Vlorë, Fier e Durrës.