Pas Ilir Alimehmetit dhe Lisandër Hoxhës, një tjetër kandidate nga Partia Demokratike ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Mimoza Hajdarmataj ka kërkuar rinumërim ose rivlerësim të votave për qarkun e Tiranës. Sipas saj, një kërkesë e tillë vjen pasi, në bazë të këqyrjes së deritanishme, i rezulton një parregullsi në masën mbi 1000 vota, në të paktën 6 KZAZ.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326 datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Mimoza Hajdarmataj, kam marrë 5233 vota si kandidate e listës së hapur.
Gjatë procesit të verifikimit nga ana ime, kam vërejtur disa parregullsi të cilat mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë tejet të ndjeshme, për sa i përket renditjes sime në tabelën e kandidatëve.
Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar në dispozitat e mëposhtme të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë:
Neni 124, pika 1: Çdo kandidat ka të drejtë të paraqesë kërkesë ankimore për veprimet ose mosveprimet e KZAZ-së.
Neni 125: Kërkesa ankimore duhet të përmbajë faktet, provat dhe argumentet ligjore për të justifikuar kërkesën për ndryshim ose shfuqizim të vendimit të ankimuar…
…Qendrat e Votimit të mësipërme, por edhe shumë të tjera, krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika në të gjithë qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit.
Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, përfundimisht:
KËRKOJ:
Rinumerimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë;
Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumerimit dhe/ose rivlerësimit të votave,” thuhet në kërkesën e saj drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.