Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga operacioni i SPAK i zhvilluar, në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve në media, SPAK, pretendon se përpos vrasjes së Gentian Qarrit, ka zbardhur dhe një tjetër ngjarje të rëndë në Vlorë, siç është vrasja e Bledar Birçajt.
Sipas raportimeve vrasjet janë zbardhur përmes bisedave në aplikacionin “Sky”, ndërsa në lidhje me këto të fundit janë lëshuar disa urdhër arreste mes të cilëve, Ines Hajrulla dhe Ervis Matodashajt, Flodian Plaku, Rezart Kuçi dhe Hamëz Demushi.
Vrasja e Bledar Burçajt
Bledar Birçaj u vra më 11 Maj 2021 në një atentat të mirëorganizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”.
Në drejtim të automjetit është qëlluar mbi 10 herë. Vrasja e Bledar Birçaj ka mbetur ende pa autor, ndërsa pista kryesore e hetimit atëherë u tha se ishin konfliktet e mundshme të tij në Spanjë, prej nga ishte kthyer një muaj para se të ekzekutohej.
Emri i tij nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Birçaj sakaq rezultonte edhe pronar i një biznesi në Vlorë.
Një tjetër ngjarje ku ka qenë subjekt institucioneve ligjzbatuese është ajo e vitit 2010, kur Birçaj së bashku me vëllanë e tij kanë dhunuar juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.



