Nga Michael Rubin “19 Forty Five”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Tridhjetë vjet më parë, Recep Tayyip Erdogan e shpjegoi kështu qëllimin e tij:”Demokracia nuk është qëllimi ynë përfundimtar. Ajo është një mjet që na duhet për të rivendosur qytetërimin islam, që do të përparojë në shekullin XXI, dhe për cilido që merr pjesë në ringjalljen e këtij qytetërimi, do të dyfishohet shpërblimi që do ta marrë nga Zoti”.
Dhe Erdogan është i vendosur të arrijë deri në fund qëllimet e tij. Zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, nuk ishin as të lira dhe as të drejta. Fiksimi i rezultatit u përgatit që para se të fillonin votimet.
Ndërsa akademikët, grupet e ekspertëve mbi Turqinë, gazetarët dhe diplomatët mund të varen ende pas shpresës së Turqia nuk është ende një rast i dëshpëruar, realiteti është se ky vend do të jetë për dekadat e ardhshme një problem për NATO-n, Perëndimin dhe rendin aktual të bazuar tek rregullat.
Po ku mund ta çojë Erdogani Turqinë? Monedha vendase, lira, po e vazhdon rënien e saj të shpejtë. Ndërsa mbështetësit e vlerësuan fillimisht Erdoganin për zgjerimin e shpejtë të ekonomisë, parë në retrospektivë mund të thuhet se Erdogan ishte thjesht me shumë fat:Ai ishte përfituesi i rritjes së madhe demografike të Turqisë.
Por ndërsa udhëheqësit e Azisë Lindore, e shfrytëzuan rritjen e popullsisë së tyre në moshë pune, për t’i vendosur ekonomitë e tyre në baza të forta për të ardhmen, Erdogan e humbi këtë shans. Prandaj Turqia gjendet tani në pragun e një krize financiare të ngjashme me atë të Venezuelës.
Teksa po i i afrohet 100- vjetorit të Traktatit të Lozanës që përcaktoi kufijtë e saj modernë, dhe 100-vjetorit të saj si një shtet-komb modern, Erdogani mund të konfirmojë bazat e politikës së jashtme të Turqisë. Turqia vazhdon të mbajë të pushtuar një pjesë të Qipros dhe disa zonat në zgjerim brenda Sirisë dhe Irakut.
Ai po bashkëpunon gjithnjë e më shumë diktaturat e Moskës, Pekinit dhe Euroazisë. Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu vazhdon të nxisë anti-amerikanizmin. “Turqia ka arritur në një pikë të tillë, sa që tani e tutje kushdo që ndjek një politikë e cila fokusohet tek Amerika, do të shpallet tradhtar i atdheut!”- ka deklaruar ai.
Erdogan e sheh veten si një sulltan. Ashtu si presidenti rus Vladimir Putin, që e cilëson rënien e Bashkimit Sovjetik si një katastrofë, e tillë është për Erdoganin edhe shembja e Perandorisë Osmane.
Ai dëshiron jo vetëm ta rikthejë atë në territoret që ndjen se fuqitë fitimtare të Luftës së Parë Botërore ia mohuan padrejtësisht Turqinë, por dëshiron gjithashtu të rrisë një brez fetarisht të devotshëm për të kundërshtuar laicizmin e imponuar të Mustafa Kemal Ataturk. Por kjo do të kërkojë tre ndryshime të mëdha në shoqërinë turke.
Së pari, atij do t’i duhet t’i kthejë të krishterët dhe pakicat e tjera fetare në statusin e qytetarëve të dorës së dytë, gjë që sugjeron një diskriminim në rritje ndaj grekëve, armenëve dhe hebrenjve brenda Turqisë .
Së dyti, do t’i duhet të riedukojë rininë e Turqisë. Në Stamboll, përgjatë brigjeve të Egjeut dhe Mesdheut dhe në Kurdistanin turk, shumë të rinj po i rezistojnë porosive të Vëllazërisë Myslimane të Erdogan, edhe nëse ata vetë janë besimtarë praktikantë.
Për Erdoganin, kjo është vetëm gjysma e betejës. Disa njerëz, sipas këndvështrimit të presidenti turk janë të pa konvertueshëm. Dhe këtu përfshihet jo vetëm rinia, por edhe atë që ka mbetur nga klasa e mesme më laike apo perëndimore.
Dhe sipas Erdogan, Soylu dhe rrethit të tyre të ngushtë, në rast se ata nuk mund të konvertohen, duhet të largohen. Dhe provat e kësaj “arratie të trurit” janë shumë të dukshme në Miami të SHBA-së, që po bëhet me shpejtësi Stamboll i vogël, sa është edhe Havana e vogël.
Ata që kanë formim ushtarak po dynden në Norfolk dhe Virginia Beach, ku ish-kolegët e NATO-s po u ofrojnë mbështetje. Duhet theksuar se Erdogan nuk po ri-shpik rrotën.
Ai vetëm sa po zbaton një taktikë të provuar tashmë për efikasitetin e saj.
Ajatollah Khomeini e transformoi Iranin jo vetëm nëpërmjet indoktrinimit, por duke inkurajuar largimin e pjesës më të arsimuar dhe më përparimtare, për të çliruar vendin nga një elitë, që përndryshe mund të “ndotë” shoqërinë në aspektin ideologjik.
Edhe diktatori komunist Fidel Castro inkurajoi emigracionin masiv jo vetëm për të çliruar veten nga një shtresë e ulët kriminale, por edhe nga elitat e epokës së Batistës, si dhe nga ata që nuk e pranuan vizionin e tij marksist.
Muqtada Al-Sadr zbatoi të njëjtën strategji në Irak pas vitit 2003, teksa u përpoq të çlironte Bagdadin nga një klasë e mesme, vlerat e së cilës ai nuk i ndante. Ndërkohë Erdogan mund të zëvendësojë disa elita “turke të bardha”, si dhe alevite dhe kurdë me arabo-sirianë konservatorë në aspektin fetar, ndërsa më pas do të inkurajojë refugjatët e tjerë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt Evropës.
Megjithatë, shumë nga Kemalistët tradicionalë të Turqisë nuk do të qëndrojnë për të luftuar një ditë tjetër. Ata do ta shohin humbjen e Kemal Kilicdaroglu në zgjedhje si shansin e tyre të fundit, dhe do të bëjnë valixhet për t’u larguar. Ndaj bëhuni gati të shihni përshpejtimin e ndryshimeve sociologjike në shoqërinë turke.
Shënim: Dr.Michael Rubin, anëtar në institutin kërkimor “American Enterprise Institute”. Ai është autor i disa librave mbi diplomacinë, historinë iraniane, kulturën arabe, studimet kurde dhe politikën shiite