Pas arrestimit të Ilir Metës, GJKKO jep masën edhe për Monika Kryemadhin

Pas arrestimit të PL Ilir Metës, Gjykata e Posaçme, ka vendosur masën e detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin.

Kreu i PL-së, u arrestua pak minuta më parë pranë zonës së njohur “Casa Italia” në kryeqytet.

Në qershor të këtij viti, Meta u thirr në Prokurorinë e Posaçme, duke shënuar herën e tretë që mbërrin si deklarues në këtë institucion.

Ai dha shpjegime për llogari të hetimit pasuror, që po zhvillohet ndaj tij dhe Monika Kryemadhit.

Filtrimi i pasurisë së tyre, është pjesë e të njëjtës dosje hetimore me lobimit 700 mijë euro të LSI në SHBA, si edhe kallëzimit për shpenzime të pajustifikuara për ndërhyrje estetike në një klinikë jashtë vendit.

Pasi qëndroi për gati 3 orë e 20 minuta para prokurorëve, Ilir Meta u shfaq në atë kohë para gazetarëve i tensionuar, shumë larg refrenit të tij të dikurshëm të dashurisë dhe qetësisë.

“Jam pyetur 3 orë kot më kot, për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve. Jam pyetur në cilësinë e kundërshtarit të këtij narkoshteti dhe narkoregjimi që e mban në këmbë Dum dumani. Në vend të ndalojë gjithë ato PPP që janë rrjedhja më e madhe financiare e këtij vendi, merret me përrallat e laraskave të tij. Tani po iki se kam sipërmarrjen, kam tryezën. Dum dumani këtë do, të mos merremi. Bën tërë ato akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”, tha dikur Meta.

Për të njëjtën çështje dha shpjegime për gati 5 orë deputetja e Partisë së Lirisë, bashkëshorte e Metës, Monika Kryemadhi.

Çifti Meta-Kryemadhi, gjithashtu janë në hetim pasuror, si edhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.


Shtuar 21.10.2024 13:48