Pas arrestimit të Andrew Tate, zbulohen taktikat e trafikantëve për mashtrimin e vajzave

Arrestimi i influencuesit Andrew Tate, i popullarizuar në internet për maskulinitetin toksik, pas një bastisjeje në vilën e tij luksoze në periferi të Bukureshtit, ka nxjerrë në pah rrezikun e vazhdueshëm për trafikim me qenie njerëzore në Rumani dhe përtej.

Hetuesit pretendojnë se katër të dyshuar – siç raportohet, bëhet fjalë për 36-vjeçarin Tate, vëllain e tij, Tristan, dhe dy gra rumune – formuan një grup kriminal për trafikimin e njerëzve në Rumani dhe vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Në mesin e krimeve për të cilat dyshohen është edhe përdhunimi.

Ish-kikboksieri, i lindur në SHBA, me nënshtetësi britanike, Tate ka ndërtuar një markë multimilionëshe në internet mbi konceptet e maskulinitetit, mizogjinisë dhe “krijimit të pasurisë”. Pas arrestimeve, një gjykatë e Bukureshtit urdhëroi të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim për të paktën një muaj.

Problemi i trafikimit me qenie njerëzore dhe për shërbime seksuale në Rumani nuk pritet të zhduket brenda natës. Përderisa numri i rasteve ka rënë që kur Rumania krijoi një Agjenci Kombëtare për ta luftuar trafikimin me njerëz, autoritetet vazhdojnë të raportojnë për rreth 30 viktima të reja çdo muaj.

Në gusht të vitit 2022, Departamenti i Shtetit i SHBA-së e vlerësoi Qeverinë rumune për “përpjekje të rëndësishme”, por paralajmëroi se ajo ende “nuk i plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit”.

Policia rumune pretendon se rrjeti i influencuesit Tate futi në grackë shtetasit britanikë duke përdorur metodën “djali i dashuruar” – taktikë sipas së cilës trafikantët joshin viktimat me perspektivën e një marrëdhënieje dashurie deri kur ato të mund të detyrohen të qëndrojnë në situata abuzive ose skllavëri.

Andrew Tate dhe Tristan Tate shoqërohen nga oficerët e policisë në Bukuresht, më 29 dhjetor.
Andrew Tate dhe Tristan Tate shoqërohen nga oficerët e policisë në Bukuresht, më 29 dhjetor.

Shërbimi Rumun i Radios Evropa e Lirë ka hulumtuar të dhënat zyrtare dhe dëshmitë gjyqësore të viktimave rumune të trafikimit për të identifikuar disa taktika kryesore të trafikantëve të njerëzve. REL-i ka përdorur pseudonime për gratë e përmendura në këtë tekst, me qëllim për ta mbrojtur identitetin e tyre.

Gjahtari i internetit

Andreea lindi në një familje të varfër dhe u rrit në Qarkun Alba, në regjionin historik të Transilvanisë në Rumani. Ajo e la shkollën në klasën e dytë dhe u la, menjëherë më pas, nga nëna e saj nën kujdesin e gjyshes, pasi prindërit e saj u ndanë dhe të dy u larguan në kërkim të mundësive jashtë vendit.

Vite më vonë, si një 20-vjeçare, Andreea do të dëshmonte se si kishte kërkuar me dëshpërim një vend pune në Rumani përpara se të udhëtonte drejt Britanisë me shpresën se do të punonte në një fabrikë çokollate, por ku përfundoi si prostitutë.
Ajo dëshmoi në gjykatë se udhërrëfyesi i saj në botën e errët të trafikimit me qenie njerëzore ishte një burrë i quajtur Sebastian Z.

Ata u “takuan” në Facebook në dhjetor të vitit 2020. Pas vetëm disa bisedave, tha ajo, Sebastiani kishte deklaruar dëshirën e tij për t’u martuar me Andreean. Por, kishte një kusht: asaj do t’i duhej të shkonte me të në Britani, ku ai do ta ndihmonte të gjente punë.

Një psikolog gjyqësor që ekzaminoi Andreean theksoi cenueshmërinë e saj si një 18-vjeçare me pak përvojë jetësore dhe arsimim. Ajo nuk kishte aftësi leximi apo në matematikë.

Sebastiani i thoshte se e donte dhe kishte një respekt të veçantë për gratë, tha ajo, dhe se do ta bënte të lumtur dhe do ta mbronte.

Ajo udhëtoi për në Britani në janar të vitit 2020 pa i treguar askujt në familjen e saj. Ajo nuk mbante me vete shumë më shumë se rrobat që kishte veshur dhe një telefon përderisa udhëtonte me autobus për në Birmingham dhe më pas për në Wolverhampton, ku “i dashuri” i saj dhe një mik i tij me gruan e vet kishin një shtëpi me qira. Pas mbërritjes në Angli, ajo u përfshi shpejt në prostitucion për të mos përfunduar në rrugë.

Sebastian krijoi një profil të rremë në internet për të, tha Andreea, dhe “klientët fillonin të mbërrinin në orën 11 të mbrëmjes deri rreth orës 3 të mëngjesit”.
Pas dy muajsh, ajo u kthye në Rumani pasi një anëtar i familjes atje u sëmur. “Më tha se nëse i tregoja dikujt apo policisë, do të vinte të më therte me një thikë dhe do të më vriste”, dëshmoi ajo. Por, Andreea gjeti guximin t’ia tregonte gjyshes, e cila menjëherë iu drejtua policisë.

Njerëzit duke ecur jashtë Gjykatës së Bukureshtit, një gjykatës i së cilës zgjati periudhën fillestare të paraburgimit prej 24 orësh në 30 ditë për Andrew Tate dhe vëllain e tij Tristan, më 30 dhjetor.
Njerëzit duke ecur jashtë Gjykatës së Bukureshtit, një gjykatës i së cilës zgjati periudhën fillestare të paraburgimit prej 24 orësh në 30 ditë për Andrew Tate dhe vëllain e tij Tristan, më 30 dhjetor.

Sebastian Z. dhe trafikantët e tjerë të saj u dënuan me deri në katër vjet burgim.
Agjencia Kombëtare e Rumanisë për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore thotë se gati një e katërta e të gjithë atyre që raportojnë se janë trafikuar, janë rekrutuar në këtë mënyrë.

“Djali i dashuruar”

Që nga arrestimi i vëllezërve Tate, vajza 19-vjeçare e një ish-ligjvënësi rumun i ka akuzuar publikisht se u përpoqën t’i fusnin në këtë grackë atë dhe shoqet e saj të shkollës me mesazhe telefonike të padëshiruara, “mjaft sugjestive” që kur ishte 16 vjeç.

Daria Gusa tha se Tate “në thelb më kishte kërkuar të dilja me të” dhe kishte aplikuar një strategji të ngjashme edhe me vajzat e tjera në zonat e Ilfov dhe Prahova, pranë shtëpisë së tij.

“Në thelb, ishte metoda e ‘djalit të dashuruar’”, tha ajo për mediat lokale.

Ajo nuk do të ketë qenë e vetmja në mesin e grave rumune.

Në mars të vitit 2020, Maria filloi një lidhje romantike me burrin që do të bëhej torturuesi i saj. Ajo mendoi se ishte dashuri dhe u shpërngul në një shtëpi me të në Qarkun Giurgiu, afër kufirit bullgar, siç dëshmoi ajo më vonë, pasi ai i premtoi hënën dhe yjet dhe iu betua se do të martohej me të.

Një poster i krijuar si pjesë e trajnimit për mësuesit rumunë në identifikimin e metodës "djali i dashuruar".
Një poster i krijuar si pjesë e trajnimit për mësuesit rumunë në identifikimin e metodës “djali i dashuruar”.

Dy muaj më vonë, në maj të vitit 2021, ajo mbërriti me makinën e një shoqeje në qytetin gjerman të Nurembergut, ku priste të bëhej shtëpiake, ndërsa i fejuari i saj punonte në një kantier ndërtimi. Por, ajo shpejt zbuloi se ishte mashtruar.

“Unë qëndrova në një apartament me dy kolegë [të të dashurit tim]”, tha ajo.

“Njëri prej tyre më tha të shkoja të punoja në Puff [bordello lokale]gjë që e bëra”.
Ajo punonte çdo natë dhe “i dashuri” e merrte në orët e para të mëngjesit dhe i merrte të gjitha paratë e fituara. Ata kishin debate të shpeshta dhe “shumica përfundonin me rrahje”.

Një natë, pasi ajo refuzoi të pranonte më klientë, ai erdhi për ta marrë dhe e çoi në shtëpi, “ku më goditi me grushte dhe shkelma derisa unë … humba vetëdijen”.
Disa muaj pas shpërnguljes, përpjekja e saj e parë e arratisjes dështoi. Përpjekja tjetër pati sukses pasi ajo bleu një biletë minibusi për në Rumani me paratë e fituara një natë. Por, një grua tjetër e zbuloi dhe i tregoi trafikantit të saj, i cili shpejt mbërriti në shtëpinë e nënës së saj në Rumani. Ata u pajtuan.

Brenda disa muajsh, ajo pranoi të kthehet në Gjermani për të punuar si prostitutë. Me kalimin e kohës, ajo do të mësonte se “i dashuri” i saj ishte martuar me një grua tjetër, e cila gjithashtu punonte si prostitutë në Gjermani.

Hetuesit arritën në përfundimin se Maria kishte qenë e varur emocionalisht nga dhunuesi i saj dhe u besonte me të vërtetë premtimeve të tij për “dashuri dhe mbrojtje”. Ata, gjithashtu, besonin se “i dashuri” kishte bërë disa pagesa për nënën e Marias. Gjatë ndjekjes penale dhe dënimit eventual në lidhje me trafikimin e grave të tjera, Maria vazhdoi të përpiqej ta mbronte atë nga drejtësia.

I njohuri ose i afërmi

Diana ishte një grua e re me probleme mendore. Ajo kishte një diagnozë mjekësore të çrregullimit afektiv bipolar. Në vitin 2015, ajo ishte 22 vjeçe dhe jetonte në varfëri në kryeqytetin e qarkut Prahova, Ploesti.

Një person i dënuar për mundësim dhe organizim prostitucioni në Greqi mori vesh disi për situatën e saj dhe kontaktoi me të nëpërmjet një xhaxhai. Ajo kishte humbur kohët e fundit kartën e saj të identitetit dhe së shpejti xhaxhai i saj – me paratë që mori nga trafikanti – i ndihmoi asaj të nxirrte një të re. Ai gjithashtu i bleu rroba dhe, në fund, një biletë avioni për në Britani të Madhe.

Pasi mbërriti në Liverpool në gusht të vitit 2015, Diana u mor në aeroport nga dy burra dhe u dërgua në qytetin skocez të Glasgow. Asaj ia morën menjëherë dokumentet e identifikimit dhe i thanë se tani ishte prostitutë. Ata i rekrutuan klientët e saj përmes faqeve të specializuara të internetit. Ajo u përball me rrahje të shpeshta për shkak se kundërshtonte udhëzimet e tyre.

Në tetor të vitit 2015, Diana kishte mbledhur guximin dhe energjinë për t’u arratisur. Ajo ndaloi makinën e parë që kaloi pranë saj dhe, duke qarë, i tregoi gjithçka shoferit, i cili e thirri policinë. Autoritetet skoceze hapën rast hetimi, i cili që nga atëherë është marrë përsipër nga Drejtoria e Rumanisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT).

Shantazhuesi

Kur Elena takoi dhunuesin e saj, ajo nuk ishte ende 17 vjeç. Ishte fillimi i vitit 2020 dhe adoleshentja kishte një marrëdhënie të tensionuar me prindërit e saj dhe kishte vendosur të ikte nga shtëpia. Pikërisht atëherë një shoqe e prezantoi me një burrë, të cilin e takoi një mbrëmje, afër mesnatës, për një pije në një pikë karburanti në vendlindjen e saj.

“Fillova të dilja me të, të flisja në telefon – i fshihja këto gjëra nga prindërit e mi, duke përfshirë këtu edhe faktin që ai kishte një fëmijë të vogël”, u tha ajo më vonë hetuesve.

“Që nga hera e parë që u takuam, i thashë se isha 16 vjeç e gjysmë, [pra kjo është] diçka që ai e dinte gjithmonë”.

Projekt kundër trafikimit të vajzave dhe fëmijëve.
Projekt kundër trafikimit të vajzave dhe fëmijëve.

Në një moment, ajo pranoi që ai ta filmonte përderisa bënin seks. Elena më vonë u largua nga shtëpia e prindërve të saj dhe u zhvendos me atë person. Prindërit e saj kontaktuan shpesh policinë në një përpjekje të pasuksesshme për ta kthyer vajzën e tyre në shtëpi.

Thuhet se qëllimi i burrit ishte ta çonte Elenën në Gjermani – siç duket për ta bërë prostitutë atje – por mosha e pengonte ta linte vendin pa lejen e prindërve.

Ai u dërgoi të njohurve dhe familjarëve të saj imazhe eksplicite të Elenës nga videoja e incizuar në një përpjekje për t’i shantazhuar që t’ia plotësonin dëshirën. Dhjetëra individë morën imazhe eksplicite në WhatsApp dhe Facebook.

Në fund, Elena u kthye në shtëpinë e prindërve të saj.

“Pasi mësova për atë video nga të afërmit e mi, shumë shpejt mora vesh se ajo po qarkullonte në të gjitha rrjetet sociale dhe mund ta shihnin të gjithë, prandaj thirra policinë”, u tha autoriteteve nëna e saj.

Por, prindërit e saj thonë se përvoja e ka dëmtuar Elenën për gjithë jetën, duke e lënë atë të heshtur dhe vazhdimisht në depresion, aq sa për të tentuar vetëvrasjen, gjë që u shmang vetëm sepse një mik ndërhyri për ta shpëtuar./REL


Shtuar 9.01.2023 15:08