Pas katër orësh pauzë, në seancën ku po diskutohet për rrëzimin e Qeverisë, kryeministri malazez, Dritan Abazoviç , doli me një ofertë për ristrukturimin e qeverisë së tij.
Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e ekzekutivit.
Kjo iniciativë, e cila erdhi gjatë seancës ku po diskutohet mocioni për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviqit, përmbanë parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re, dhe i bën thirrje të gjitha partive parlamentare t’i bashkohen iniciativës, përveç atyre që kanë iniciuar mosbesimin ndaj Qeverisë.
Në vazhdim të seancës, njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, ka bërë të ditur se deputetët e këtij grupi janë të gatshëm që menjëherë të nënshkruajnë ofertën e Abazoviqit.
Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga Abazoviq, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.
Parimet e dokumentit të nënshkruara përfshijnë: forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, reformën zgjedhore dhe reformat ekonomike, me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor, integrimet evropiane, bashkëpunimi rajonal dhe përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Paraprakisht, pas katër orë e gjysmë diskutimi për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviq, me kërkesë të Frontit Demokratik (FD) deputetët shkuan në pushim. Tani ata janë kthyer në seacë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja URA e Abazoviqit fituan shumicën.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Paraprakisht, është zhvilluar një debat mes deputetëve dhe kryeministrit.
Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviq, tha se Qeveria e Abazoviqit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.
“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviq.
Abazoviq iu kundërpërgjigj Zhivkoviqit, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe prandaj e dorëzuat. Mos u fshihni pas evropianizmit”, tha Abazoviq./REL