Pas 3 orësh debate, PS braktis Komisionin Hetimor të Shëndetësisë

Pas tre orësh debate dhe pa asnjë vendimmarrje, Partia Socialiste është larguar nga mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë. Kryetarja Albana Vokshi tha se kjo është një përpjekje e PS për të bllokuar punën, pasi nuk pranon të miratojë kërkesat për informacion. Mbledhjen e radhës Vokshi e caktoi të premten.

“Po kërkojnë të mbulojnë korrupsionin dhe abuzimin kriminal të dy koncesioneve. E paimagjinueshme kjo që po ndodh në këtë komision. 8 deputetë e mazhorancës janë vënë në mbrojtje të këtij korrupsioni. Refuzojnë të dërgojnë kërkesat për informacion. Meqë deputetët e PS përsëri bojkotuan komisionin, u larguan për të penguar hetimin parlamentar, po thërras mbledhjen e radhës ditën e martë. Orarin do e caktojmë, rendi i ditës vijon të jetë miratimi i kërkesave për informacion dhe diskutim i planeve”, tha Vokshi.

Partia Socialiste kërkon që të miratohet plani i hetimit dhe më pas të vijojnë me kërkesat për informacion.

“S’duhet të humbin asnjë minutë kohë, të fillojmë nga hetimi. Radha e punës që është propozuar nga unë është që të miratojmë planin e hetimit, pastaj kërkesat për marrje provash”, tha Plarent Ndreca. 

Por nga ana tjetër opozita hedh akuza se mazhoranca po përpiqet që të bllokojë punën dhe hetimin e dy koncesioneve, sterilizimin dhe chechk up. Opozita thotë se fillimisht duhet të dërgojnë kërkesat për informacion dhe më pas miratohet plani përfundimtar i hetimit për të vijuar me punën.

“Ju keni ardhur për të mos hetuar, për të penguar hetimin”, tha Albana Vokshi. 

“Duhet të çojmë kërkesat për informacion dhe më pas të kemi një plan hetimor. Nuk thotë ligji që nga plani paraprak, kalohet te plani i hetimit dhe më pas te informacionet”, tha Ina Zhupa.

Plani hetimor i opozitës parashikon që në listën e dëshmitarëve të thirret kryeministri Edi Rama, ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Koçiu etj.

Ndërsa nga mazhoranca kërkohet shtrirja e listës së dëshmitarëve me të gjithë ish ministrat e shëndetësisë që nga viti 2006, pra duke përfshirë ministrat e qeverisë Berisha 1 dhe koalicionit të mëvonshëm të tij me Metën, si dhe zyrtarë e auditues të KLSH. PS ka propozuar që hetimet të shtrihen që nga 2009. Sipas PS-së duhet të pyeten edhe Ministrat e Shëndetësisë që nga dhjetori i 2006 si dhe të gjithë ish drejtuesit e QSUT që nga 1 tetor 2009./albeu.com