Pas 1 janarit, pritet ulje e çmimeve të ushqimeve në Maqedoninë e Veriut

Çmime më të lira të produkteve bazë ushqimore paralajmëroi Goran Gjorgjievski, kryetar i Odës së Agro Biznesit pranë LOE-së. Kjo vjen pas paralajmërimit të ministrit Bekteshi për subvencionim dhe uljen e dyfishtë të çmimit të rrymës për kompanitë e industrisë ushqimore.

“Ky është një hap serioz përpara në aspekt se do të marrim çmim më të lirë të energjisë elektrike që do të mundësojë që çmimi i produkteve bazë që prodhohen me këtë shifër të veprimtarisë, të shiten me çmime më të volitshme për konsumatorët përkatësisht për qytetarët”, theksoi Goran Gjorgjievski, kryetar i odës së agro biznesit pranë LOE.

Por sot në bisedë për TV21, Gjorgjievski tha se uljen e çmimit së pari duhet ta ndjejnë kompanitë. Kompanitë deri më 1 dhjetor duhet të lidhin marrëveshje me EMV, e pastaj vjen stabilizimi i tregut.

“Çmimin më të ulët të energjisë elektrike, duhet ta ndjejë biznesi, pastaj nga 1 janari pritet që të ketë hapësirë që të ulet çmimi i produkteve bazë për rreth 10%”, pohoi Goran Gjorgjievski, kryetar i odës së agro biznesit pranë LOE.

Çmimi i rrymës për kompanitë ishte arsyeja kryesore për shtrenjtimin e produkteve bazë. Sot, Gjorgjievski thotë se çmimi i këtyre produkteve nuk varet vetëm nga çmimi i energjisë elektrike, por edhe nga faktorë të tjerë, siç është çmimi i grurit.

“Por, në këtë situatë, ju jeni duke ndjekur se çka po ndodh, eksporti i grurit ukrainas përmes Detit të Zi, i cili udhëton deri te dy vende tani është kufizuar, gjegjësisht Rusia del nga marrëveshja dhe kjo shkakton presion në treg”, tha Goran Gjorgjievski, kryetar i odës së agro biznesit pranë LOE.

Gjorgjievski, shpjegon se oferta dhe kërkesa e lëndëve të para që marrin pjesë në produktin final, janë ato që e diktojnë çmim. Kështu, në periudhën që vijon do të ketë ulje të çmimit të rrymës, por ndoshta çmimi i lëndëve të para që marrin pjesë në produktin final do të rritet. Por, Bekteshi, para disa ditëve u dërgoi mesazh të qartë kompanive:

“Në qoftë se inputi i energjisë elektrike i cili merr pjesë në formimin e çmimit final, nuk ulet edhe në çmimin përfundimtar të produkteve, atëherë kemi mekanizma të tjerë. I kemi diskutuar me odat ekonomike që të mos ketë keqpërdorime të tilla, sepse mund të sjellim vendim për ngrirjen e plotë të çmimeve të produkteve të caktuara atje ku do të përcaktohet se inputi për uljen e energjisë elektrike nuk llogaritet në çmimin përfundimtar të produkteve”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Afaristët thonë se do të ndjekin se si do të zhvillohet situata, pas çka do të përcaktohet çmimi përfundimtar i produkteve nga 1 janari.

Shtuar 2.11.2022 21:02