Partia Republikane në Lezhë: Të bashkohemi kundër varfërisë dhe largimit të shqiptarëve

Kryetari i Partisë Republikane në Lezhë Besnik Lleshi dhe deputetja Lindita Metaliaj, kanë zhvilluar një takim me banorët e kësaj bashkie duke kërkuar mbështetjen për Partinë Republikane dhe Kandidatin e opozitës për Kryetar Bashkie, Pashk Gjoni.

Thirrja e kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediut, i cili ishte i pranishëm në takim, ishte që të bashkohemi kundër varfërisë dhe largimit të shqiptarëve.

Fjalimi i plotë:

Në qoftë se flasim për problemet që ka Shqipëria, pyetja e parë që na shtrohet gjithësecilit nga ne, është çfarë duhet të bëjmë?

E para duhet patjetër që të bashkojmë shqiptarët.

Meqënëse unë kam kolegen time Metaliaj këtu, dhe ju jeni përfaqësues të partive politike, Republikane, demokratike, një detyrë të madhe kemi ne; detyra për të bashkuar shqiptarët kudo që janë, dhe bashkimi i parë ndodh pasi t`ju kemi dhënë atyre mundësinë për të votuar.

Nuk mundet që njerëz që kontribuojnë për familjet e tyre, mendojnë për familjet e tyre, sakrifikojnë për familjet e tyre, për vendin e tyre, të lihen në harresë sikur janë qytetarë të dorës së dytë.

Detyra e parë është që gjithë diaspora, gjithë emigrantët, të votojnë.
Kjo do t`i jepte një vlerë tjetër marrëdhënies sonë politike, ekonomike dhe sociale në vend. Por jo vetëm kaq. Mendoj që ka ardhur koha , që këta njerëz, të rinj e të reja, jo vetëm në Bashkinë e Lezhës, por në gjithë Shqipërinë, të vijnë dhe të na përfaqësojnë në Kuvend dhe në qeveri.

Por ka ardhur koha gjithashtu që t`i themi të rinjve të rejave, njerëzve më të mirë të këtij vendi, që është radha juaj për të qeverisur, sepse e djathta nuk është pronë, është marrëdhënie me qytetarin, është marrëdhënie me njerëz të lirë dhe njerëz të mirë dhe njerëz të mire dhe të lirë ka në Lezhë dhe në mbarë botën, të cilët duhet të kthehen dhe të bëjnë qeverisjen më të mirë për këtë vend.

Zoti na ka falur jetën, lirinë dhe mundësinë për të ndërtuar lumturinë dhe këto nuk mund t`i zëvendësojmë dot me autoritete dhe pushtete njerëzish të gabueshëm.
Është shumë e rëndësishme ne të kuptojmë që kjo vlerë që na është dhënë t`a vendosim në shërbim të jetës sonë. Prandaj ka dhe një gjë që mund `ta kurojë mirë shoqërinë shqiptare, përveçse duhet të flasim fort për problemet, për krimin, për korrupsionin, e rëndësishme është të dimë si të flasim me shqiptarët.

Të flasim me ta duke i dëgjuar dhe jo vetëm duke ju thënë, të dëgjojmë hallet dhe problemet që ata kanë, të flasim me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës, me respekt për njëri-tjetrin, se mësimi më i madh i Zotit është; jo vetëm të duam Zotin, por të duam dhe të respektojme njëri-tjetrin.

Pa dashur dhe pa respektuar njëri-tjetrin, ne nuk mund të arrijmë asnjë lloj suksesi.

Ne, të gjithë duhet të kemi guximin për të qëndruar, përndryshe, ne, fëmijët tanë, do të futen në qerfull të errësirës, në një rrugë të gjatë, e cila do të jetë e dhimbshme dhe e mundimshme, për ne si prind, por dhe për ata.
Ne kemi sot një takim me fatin dhe ky takim me fatin është 14 maji.

Prandaj ju bëj thirrje ju, të gjithë të bashkojmë, të flasim me çdo lezhian, të trokasim në çdo derë, por në radhë të parë të trokasim në zemrat e njerëzve, të degjojmë me vërejtje problemet dhe hallet e njerëzve, mos të na duken si të tepërta, t`i japim kuptim dhe vlerë jetës së çdo qytetari, sidomos atyre që janë në nevojë, sepse duke i dhënë kuptim dhe vlerë problemeve dhe halleve që ata kanë, duke i dëgjuar me vëmendje dhe duke i dhënë zgjidhje, ne i kemi dhënë kuptim dhe vlerë edhe jetës sonë.

Prandaj dua të bashkohem me ju, si bashkëudhëtar i juaj, së bashku me Pashkun, për të bërë atë që është më e mira, për të sjellë Pashkun në krye të Bashkisë së Lezhës, për t`i dhënë Lezhës vlerën e saj historike, turistike dhe të një zhvillimi që i takon qytetarëve të Lezhës, për t`i dhënë mundësi, nëpërmjet Pashkut, Linditës dhe të tjerë, që Shqipëria të ndryshojë, të bëjmë më të mirën, duke votuar Pashk Gjonin.


Shtuar 28.04.2023 10:15