Partia Demokratike: Tenderat për menaxhimin e pyjeve po i fitojnë ish-zyrtarët e dënuar

Ditën e sotme, Partia Demokratike, ka denoncuar korrupsionin dhe krijimin e monopoleve në administrimin dhe menaxhimin e pyjeve, kullotave dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, nga zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, thuhet se sipas të dhënave nga Open Procurement, disa kompani të lidhura me ish-zyrtarë dhe zyrtarë shtetërorë kanë përfituar miliona euro nga tendera për plane mbarështimi pyjor, ndërkohë që mbi 800 inxhinierë pyjesh janë të papunë dhe nuk kanë mundësi të ushtrojnë profesionin.

Bëhet fjalë për kompaninë ‘Lurimi’ shpk e ish-kreut të IKMT-së Dibër, Lutfi Miftari, i akuzuar për korrupsion dhe kompaninë ‘Diava Consulting’ shpk, me pronare znj.

Vjollca Diku, e cila ka mbajtur detyrën e Drejtoreshës në administratën shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Ndërsa po ashtu sipas PD, tender ka fituar edhe ‘Deja’ shpk (Haziz Porja) dhe ‘Arabel Studio shpk’ e kjo e fundit në pronësi të znj.

Ana Nishku, akuzuar për veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, e cila ka qenë një nga të arrestuarit e SPAK për tenderin e bashkisë Bulqizë që penalizoi Lefter Allën.

Ekspertët denoncojnë se planet janë thjesht kopje të dokumenteve të vjetra pa verifikime në terren dhe pa monitorim nga institucionet përgjegjëse, tha Vangjeli.

‘PD kërkon që organet e hetimit të ndërhyjnë menjëherë për ndëshkimin e shkelësve, duke theksuar se pasuria natyrore i përket shqiptarëve dhe jo zyrtarëve të korruptuar’, tha Genta Vangjeli.

Deklarata e plotë e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Nuk është hera e parë që PD ngre zërin për anomalitë që lidhen me administrimin dhe menaxhimin pyjeve, kullotave dhe zonave të mbrojtura.

Krahas anomalive ligjore të krijuara dhe denoncuara, nga të dhënat e administruara nga e tenderave vërehet krijimi i monopoleve nga subjekte preferencialë të lidhur me zyrtarë apo ish zyrtarë shtetërorë, ndërkohë që mbi 800 inxhinierë pyjesh janë pa punë, duke u privuar nga e drejta për të ushtruar profesionin e tyre qoftë dhe në mënyrë private.

Sipas Open Procurement konstatohet se procedurat e prokurimit me objekt ‘Hartimin e planeve të mbarështimit të fondit pyjor dhe kullosor për ekonominë pyjore në zona të ndryshme’, shkojnë tek një grusht operatorësh.

Kryeson subjekti ‘Lurimi’ shpk në pronësi të ish-kreut të IKMT-së Dibër, Lutfi Miftari i akuzuar për korrupsion.

Ky subjekt sipas Open Corporates ka përfituar mbi 1 milion euro (me TVSH) nga bashkitë e Prrenjas, Bulqizë, Shkodër, Cërrik, Tepelenë, Tiranë, Pogradec, Dropull, Përmet etj.

Subjekt tjetër ‘Diava Consulting’ shpk me pronare znj. Vjollca Diku e cila ka mbajtur detyrën e Drejtoreshës në administratën shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Ky subjekt sipas Open Corporates ka përfituar mbi rreth 600 mijë euro (me tvsh) nga bashkitë Shkodër dhe Tiranë.

Subjekte të tjerë ‘Deja’ shpk (Haziz Porja) dhe ‘Arabel Studio shpk’ e kjo e fundit në pronësi të znj. Ana Nishku, akuzuar për veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, e cila ka qenë një nga të arrestuarit e SPAK për tenderin e bashkisë Bulqizë që penalizoi Lefter Allën.

Ekspertët e pyjeve, pjesë e strukturave të PD, kanë denoncuar se:

Planet thjesht kopjohen nga ish planet e vjetra të mbarështimit të cilave u ka kaluar afati i përdorimit, duke evituar matjet dhe grumbullimin e të dhënave në terren;

Është e pa mundur që një subjekt të hartojë 2-3 apo 4 plane mbarështimi në një vit.

Nëse vizitohet terreni për verifikimin e punimeve të kryera nuk gjendet asnjë shenjë ndarëse e ekonomive, ngastrave dhe n/ngastrave sipas kërkesave të manualit; (Ku të jenë materializuar në terren kufijtë me bojë të kuqe dhe tabela me numrat e ngastrave apo n/ngastrave).

Nuk gjenden sipërfaqet prove të inventarizimit të grumbujve pyjor të materializuar në terren; (Ku numri i sipërfaqeve prove për inventarizim të grumbujve pyjore, për një ekonomi pyjore varion nga 2000 – 3500 apo me shumë sipërfaqe, realizimi i të cilave kërkon kohë dhe staf profesional).

Mungojnë raporte e monitorimit në terren nga strukturat e Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit. (Agjencia Kombëtare Pyjeve);

Shpenzimet për hartimin e këtyre planeve janë marramendëse, ato përgjithësisht janë të papërditësuara në kadastrën e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, (Inxhinierët që kanë marrë pjesë në këto studime).

Duke qenë se Ministrja e linjës Mirela Kumbaro (Furxhi) nuk ka reaguar për të marrë masa lidhur me këto konstatime, Partia Demokratike kërkon nga organet e hetimit të nisin menjëherë procedurat ligjore për identifikimin dhe penalizimin e shkelësve të ligjit.

Pasuria kombëtare është e shqiptarëve, nuk është as e ministrit as e drejtorëve as e zyrtarëve të kësaj qeverie të korruptuar.