Partia Demokratike, hedh dyshime për manipulimin e procesit të votës së diasporës. Përfaqësuesi ligjor i PD i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për pezullimin e menjëhershëm të procesit të printimit të dokumentacionit për votuesit nga diaspora.
Gjithashtu, i kërkon KQZ mbledhje urgjente në orën 11:30.
Sipas PD-së, gjatë përgatitjes së dokumentacionit janë konstatuar parregullsi të rënda, të cilat mund të cënojnë integritetin e procesit.
Vëzhguesit e PD kanë raportuar se në disa raste, është printuar dy herë label-i i adresës për të njëjtin zgjedhës, ç`ka nënkupton mundësinë që një person të marrë dy zarfe me fletë votimi.
Deri më tani janë identifikuar 14 raste të tilla, por ekziston mundësia që numri i tyre të jetë më i madh.
Nga ana e vëzhguesve tanë, jemi informuar se gjatë procesit të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit nga jashtë ka pasur një problematikë që lidhet me printimin dy herë të label-it të adresës që në terma praktikë nënkupton që një zgjedhësi mund t’i shkojnë dy zarfe (dy fletë votimi), duke rrezikuar kështu që të kemi më shumë vota se numër zgjedhësish.
Sipas vëzhguesve tanë janë identifikuar 14 raste, por mund të ketë edhe të tjerë.
Në këto kushte, me qëllim sqarimin e plotë të kësaj problematike dhe marrjen e masave, kërkojmë që të pezullohet procesi dhe të mblidhemi urgjentisht sot në ora 11:30 në pallatin e sportit “Feti Borova” për të diskutuar lidhur me këtë çështje.
Kjo kërkesë ka për qëllim garantimin e rregullshmërisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit dhe kurrësesi zvarritjen e tij’ thuhet në njoftimin e PD-së.