Sekretariati i Etikës, ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, për masa disiplinore ndaj kreut të grupit të PS, Taulant Balla.
Kujtojmë që Partia Demokratike, tre ditë më parë dorëzoi kërkesën për përjashtimin me 30 ditë të Taulant Ballës, me pretendimin se ka përdorur gjuhë joparlamentare ndaj opozitës.
Kërkesa për përjashtim u firmos nga deputetët Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Enno Bozndo, Elda Hoti, Tomor Alizoti, Bardh Spahia, Jorida Tabaku, Igli Cara, Vangjel Dule, Brunilda Haxhiu, Bujar Leskaj, Luan Baçi, Ina Zhupa, Denisa Vata, Klevis Balliu, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe të tjerë.
Çfarë tha Balla në Kuvend?
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla iu drejtua opozitës duke iu thënë që nëse flisni për lepuj duhet të përmendin edhe zagarë.
“Njëri i bie patkoit, e tjetri gozhdës. Asnjeri nuk ka sqaruar se përse kjo çështje duhet të ikë nga rendi i ditës. Dëgjova batuta, tallje, njëri fliste për lepuj, por po hytë te lepujt duhet të flisni edhe për zagarët. Se lepurin në pritë e nxjerr zagari. Po i hytë këtij diskutimi bujrum se do t’ju lexoj unë listën”, tha ai.
