Partia Demokratike cakton datën e protestës kombëtare

Partia Demokratike, ka njoftuar se më 24 janar do të mbahet protesta e radhës kombëtare. Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së Kryesisë.

Kryedemokrati Sali Berisha, theksoi gjatë fjalës së tij se e vetmja mënyrë për rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, janë protestat e vazhdueshme.

Të lidhura

None found

Berisha theksoi gjithashtu, se do të tregoheshin “naivë” nëse do të prisnin që kryeministri do të largohet nga ndërhyrja amerikane, duke shtuat se të vetmët që mund t’i tregojnë vendin e duhur janë qytetarët shqiptarë.

Ai foli edhe për takimin e djeshëm të mbajtur me aleatë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se duhet të krijojnë një front të përbashkët “si rruga më e sigurtë për të luftuar kundër kësaj të keqe.”

“Dje, po në këtë kuadër, thirrëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm me shoqërinë civile dhe forcat politike. Në emër tuaj, unë u shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, të cilat pavarësisht nga pavarësia e tyre në kuptimin politik, pa asnjë afilacion partiak, por erdhën aty se të gjithë ata janë kundër të keqes që po përjeton vendin.

Aty u bashkuam kundër një të keqe të përbashkët dhe aty erdhën të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi. Ishte një akt i guximshëm qytetar i tyre, i përgjegjshëm i tyre. Dhe unë i siguroj se ne do bëjmë gjithçka për të vazhduar me ta dialogun, për të dëgjuar zërin e tyre, këshillat e tyre dhe për të vepruar bashkërisht kundër kësaj të keqe. Ftoj individë, organizata, forca politike të tjera që nuk ishin dje aty të bashkohen me këtë front si rruga më e sigurtë për të luftuar kundër kësaj të keqe.

Nuk ka synim ky front dominimin e një partie apo një tjetër, ka synim krijimin e një forumi, një fronti të përbashkët, një fryme të gjerë për të larguar nga pushteti një minutë e më parë këtë regjim që e meriton vetëm një cilësim: kakistokraci. Grekët e lashtë quanin të tillë më të keqin e regjimeve. Dhe ky kështu është.

Diskutime të shumta u zhvilluan, mendime të çmuara u shprehën. Ne do vazhdojmë përpjekjen për institucionalizimin e këtij forumi, kësaj aleance, ta quajmë si të biem dakord. Urojmë dhe shpresojmë që kjo të shtrihet edhe në rrethe, në qarqe, në mënyrë që një përpjekje e madhe mbarëshqiptare të bëhet kundër këtij regjimi”, tha Berisha.


Shtuar 10.01.2026 15:14