Në vijim të kundërshtimeve për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike, ka depozituar të enjten një ankimim të ri në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, duke kërkuar shqyrtimin e rezultatit për Qarkun e Tiranës.
Sipas PD-ASHM, gjatë zgjedhjeve në këtë qark janë vërejtur shkelje të rënda, të evidentuara në raportin paraprak të OSBE/ODIHR që nga intimidimi i administratës, dhënia e bonuseve për pensionistët, falja e gjobave, zyrat ilegale elektorale të PS pranë qendrave të votimit e deri te fenomeni i trenit bullgar në njësi të caktuara.
“Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, janë ngritur akuza për blerje votash nëpërmjet dhënies së bonuseve dhe përfitimeve të tjera, veçanërisht në Qarkun Tiranë. Këto praktika janë denoncuar nga opozita dhe media, si rastet e dyshuara të Trenit Bullgar në Tiranë, rasti i çantës me para tek KZAZ nr. 30 etj. si këto, si dhe janë vërejtur nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Janë fakte të njohura botërisht tashmë, rastet e bonuseve për pensionistët, falja e detyrimeve dhe gjobave për afro 10 vjet nga Shteti Shqiptar, por edhe masa të tjera, apo praktika tërësisht abuzive si asfalti elektoral në shumë lagje të Kryeqytetit, në formën e investimeve publike të përqendruara vetëm në disa javë të fushatës zgjedhore, ndërkohë që pjesën tjetër të vitit nuk kryhet thuajse asnjë riparim apo rregullim infrastrukture bazë të lagjeve të Kryeqytetit.
PD dhe/ose eksponentët dhe kandidatët e saj, sipas rastit, kanë denoncuar një seri rastesh lidhur me këto problematika si në KQZ ashtu edhe në Organin e Prokurorisë.
Ne do vendosim në dispozicion ato informacione që kemi arritur të mbledhim rreth kësaj problematike, por kërkojmë gjithashtu edhe nga KAS që t’i drejtohet zyrtarisht organit të Prokurorisë së Rrethit dhe SPAK, për informacion më të detajuar, sa i takon denoncimeve në KQZ për qarkun përkatës, apo kallëzimeve për Qarkun përkatës për krime zgjedhore, në organin e prokurorisë kompetente.
Censurën vetjake të gazetarëve dhe një fushatë polarizuese. U raportua për përdorim të gjerë të burimeve publike dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet, si dhe raste presioni ndaj punonjësve publikë dhe votuesve të tjerë, përfshirë raste intimidimi.
Në gjithë Qarkun Tiranë janë raportuar raste të përdorimit të administratës publike dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale, për të ndikuar në votën e qytetarëve. Këto veprime janë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe rregullat për ndarjen e qartë midis funksioneve publike dhe veprimtarive politike.
Përdorimi i Administratës dhe i Burimeve Publike:
Partia Demokratike-Koalicioni PD-ASHM ka paraqitur me dhjetëra kërkesa zyrtare në KQZ, duke denoncuar raste për shkelje të veprimtarive të ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve sipas vendimit nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator.
Më gjerësisht mund t’i referoheni materialeve bashkëngjitur dhe/ose denoncimeve të paraqitura në KQZ ose organin e prokurorisë nga PD apo përfaqësuesit e saj politikë për Qarkun Tiranë.
Përdorimi i patronazhistëve nga Shteti dhe PS, vazhdoi edhe në këto zgjedhje të ishte një problem serioz, i denoncuar jo vetëm nga Opozita, dhe mediat, por edhe nga organizatat dhe vëzhguesit e zgjedhjeve. Përdorimi i patronazhistëve nga struktura shtetërore dhe nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025 në Qarkun Tiranë, paraqet një sfidë serioze për integritetin dhe lirinë e votës. Në këto zona, ku ndikimi lokal i administratës shtetërore është i fortë dhe lidhjet personale shpesh përcaktojnë…”, thuhet mes të tjerash në ankimin e PS.
Ashtu siç ka paralajmëruar më herët, PD synon të ankimojë rezultatin në të gjitha qarqet e vendit, me qëllim që të mos e njohë procesin zgjedhor të 11 majit.