Partia Demokratike mbledh sot Kryesinë/ Berisha do të mbajë fjalën hapëse drejtuar anëtarëve, çfarë pritet të ndodhë

Këtë të mërkurë në orën 13:00, Partia Demokratike, do të mbledhë Kryesinë e Partisë, e cila do të jetë edhe hera e parë që kjo strukturë takohet pas zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas njoftimit të dhënë nga demokratët, në mbledhjen e Kryesisë, PD do të diskutojë mbi vendimarrjen e saj në lidhje me qëndrimet e opozitës, ndaj farsës zgjedhore dhe zhvillimet politike në vend.

Mbledhja e cila do të nisë në orën 13:00, do të nisë me një fjalë nga kryetari i partisë Sali Berisha, në sallën “Azem Hajdari” drejtuar anëtarëve, ndërsa më pas pritet që diskutimet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Më herët, eksponentë të PD-së kanë thënë se forumet e partisë si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, do të jenë ato që do të vendosin edhe për vijueshmërinë e aksionit opozitar.

Pritet që peshë të konsiderueshme, të kenë diskutimet për zhvillimin e protestave dhe ato për hyrjen apo jo në Parlament të opozitës, duke qenë se PD ka kontestuar vazhdimisht zgjedhjet e 11 majit duke i cilësuar si “farsë elektorale”, ndërsa ka theksuar se nuk e njeh rezultatin.


Shtuar 10.09.2025 11:38