Parlamenti polak miraton propozimin për referendumin mbi pranimin ose jo të emigrantëve

Parlamenti i Polonisë miratoi të enjten një rezolutë për të mbajtur një referendum mbi imigracionin dhe tre çështje të tjera në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare më 15 tetor, në atë që disa analistë thonë se është një përpjekje e qeverisë për të mobilizuar bazën e saj.

Nacionalistët e partisë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi thonë se përmes referendumit synohet që të respektohet vullneti i popullit për katër çështje: privatizimi i kompanive shtetërore, rritja e moshës së pensionit, ndërtimi i një barriere në kufirin me Bjellorusinë dhe pranimi ose jo emigrantëve sipas një marrëveshjeje të Bashkimit Europian.

Mbajtjen e referendumit e paralajmëroi në fund të javës së shkuar, kryeministri Mateusz Morawiecki.

Polonia strehon më shumë se një milion refugjatë ukrainas, të cilët janë kryesisht të bardhë dhe të krishterë, por zyrtarët e kanë bërë të qartë prej kohësh, se ata i konsiderojnë myslimanët dhe të tjerë nga kultura të ndryshme si kërcënim për identitetin kulturor dhe sigurinë e kombit.

Në muajin qershor, ministrat e Brendshëm të BE-së miratuan një plan për të ndarë përgjegjësinë për emigrantët që hyjnë në Evropë në mënyrë të paligjshme, një çështje që ka krijuar një prej krizave politike më të gjata të bllokut.

Opozita në Poloni, thotë se partia në pushtet po keqpërdor fondet publike me synim mobilizimin e mbështetësve të saj dhe nxitjen e një fushate denigruese ndaj kundërshtarëve politikë.

“Ne nuk do të lejojmë që emigrantët e paligjshëm të hyjnë me forcë në vend, nuk jemi dakord me shitjen e aseteve tona kombëtare, jemi kundër rritjes së moshës së pensionit. Duam të dëgjojmë zërin të polakëve”, tha zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller gjatë një debati në dhomën e ulët të parlamentit.

Borys Budka, një ligjvënës nga partia kryesore opozitare, Platforma Qytetare Liberale (PO), tha se votimi nuk do të jetë referendum, por më tepër “një përpjekje për të anashkaluar të gjitha rregulloret në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore”.

Në vitin 2022, Hungaria mbajti një referendum për çështjet që lidheshin me komunitetin LGBT, krahas zgjedhjeve.


Shtuar 17.08.2023 23:28