“Parlamenti kopsht zoologjik”, Açka i përgjigjet Ramës: Zgjidhni kush është pilivesa, kush mushqerra dhe kush qelbësi

Deputetja demokrate Flutura Açka ka reaguar me ironi për deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cilie ka quajtur Kuvendin një “kopsht zoologjik”

Açka tha gjatë seancës plenare se seanca nuk nis asnjëherë në kohë dhe vetë kryeministri nuk paraqitet në orarin e duhur.

Ajo bëri gjithashtu thirrje të kthehen ligjet e miratuara nga 22 dhjetori, pasi janë votuar pa praninë e një pjese të deputetëve të opozitës.

Fjala e Açkës

Meqenëse jemi në kopsht zoologjik siç na e ka përcaktuar kryetari juaj, kontrolloni kafazin tuaj njëherë dhe niseni seancën në kohë.

Pse kryeministri nuk paraqitet në kohë, sa herë e kërkon kushtetuta? Kushtetuta është me ngjyrë të kuqe, është detyrim, nuk është për të trembur demin.

Mbase për ju kryeministri është Zeus, Prometeu, për ne është kryeministri i shqiptarëve.

Meqenëse ka thënë se jemi kopësht zoologjik dhe do vijë kur të dojë ai, zgjidheni vetë kush është pilivesa, kush është mushqerra dhe kush është qelbësi në këtë Kuvend. Për vete e di që vij erë njeriu dhe do flasim si njerëz këtu. Sa për kryeministrin, i bie që të jetë hiena. Siç thotë Jonathan Franzen, edhe hiena ka integritet, por hienë është prapë.

Ju keni përjashtuar 27 deputetë nga 22 dhjetori, i keni hequr ligjeve 27 vota. Nuk e keni këtë mandat Parlamenti. Mund t’i hiqni nga seanca, por në votim t’i ftoni në sallë dhe të vijnë të votojnë. Të gjitha ligjet nga 22 dhjetori janë nul. I bëj thirrje Presidentit t’i kthejë këto ligje.

/albeu.com


Shtuar 23.02.2023 11:18