Parlamenti i ri gati për nisje/ Data e seancës së parë dhe tre emrat e mundshëm të drejtuesit

Muaji shtator shënon nisjen zyrtare të legjislaturës së re parlamentare në Shqipëri, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 11 maj 2025. Me një përbërje të re prej 140 deputetësh, nga të cilët 72 janë për herë të parë në parlament, sesioni i ri pritet të hapet brenda 20 shtatorit, duke shënuar një moment kyç për jetën politike dhe institucionale të vendit.

Rezultatet e zgjedhjeve sollën një shumicë të re parlamentare, me Partinë Socialiste që siguroi 83 mandate, Partinë Demokratike me 50 mandate dhe pjesën tjetër të ndarë mes partive më të vogla si Partia Socialdemokrate, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma “Shqipëria Bëhet”.

Me mbylljen e mandatit të Kuvendit aktual më 9 shtator, parlamenti i ri do të hapë dyert pasi Presidenti i Republikës të përcaktojë datën me një dekret, që sipas Kushtetutës, nuk mund të vonohet më shumë se 10 ditë. Seanca hapëse do të jetë vetëm konstituive, pa agjendë dhe pa debate. Rregullorja e Kuvendit përcakton që drejtimin e seancës së parë e merr deputeti më i vjetër në moshë. Edhe në këtë legjislaturë, radha i takon Sali Berishës.
Në rast refuzimi, stafetën e marrin Tritan Shehu ose Vasil Llajo, deputeti socialist i listës së Vlorës. Menjëherë pas hapjes, Kuvendi nis verifikimin e mandateve dhe më pas 140 deputetët e rinj do të bëjnë betimin.

Për socialistët fitues, sfida e parë mbetet formimi i qeverisë së re. Brenda 10 ditëve nga nisja e legjislaturës, Kryeministri Edi Rama do të dorëzojë në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Zyrtarizimi kërkon të paktën 71 vota. Pas votëbesimit, Kushtetuta kërkon që qeveria të bëjë betimin përpara Presidentit të Republikës. Tradita politike e së majtës e paraprin këtë proces me Asamblenë Kombëtare, e cila këtë vit është planifikuar në ditët e fundit të muajit gusht. Në këtë forum priten njoftimet për kabinetin “Rama 4”, ndryshimet në parti dhe në grupin parlamentar.


Shtuar 25.08.2025 22:48

Tags: ,