Parku i Butrintit, rrëzohet dekreti i presidentit për dhënien me koncension

Këtë të martë u mbajt Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ku edhe u shqyrtua dekreti i presidentit për kthimin e ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Në përfundim të kësaj mbledhje, Partia Socialiste ka rrëzuar dekretin e Presidentit Meta.

Në një dalje për mediat, Ilir Meta argumentoi se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.

Presidenti i Republikës u shpreh se procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, “duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje.”

“Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Po ashtu për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian,” tha ndër të tjera Meta./albeu.com