Parashikimi i motit për javën, meteorologu: Ja kur do të rikthehen rrebeshet e shiut

Pas disa ditësh me diell dhe temperatura të larta, Shqipëria përgatiten për kthimin e reshjeve të shiut dhe vranësirave kalimtare gjatë javës.

Sipas meteorologut Hakil Osmani rrebeshet e shiut priten fillimisht në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa fundjava do të sjellë mot të vranët dhe reshje lokale në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas meteorologut fillimi i javës do të jetë me mot të qëndrueshëm dhe kthjellime, të paktën deri të mërkurën.

“Në pjesën e dytë të javës pritet zhvillim i vranësirave dhe një rritje e ndjeshme e lagështisë në ajër, çka do të sjellë prezencë të reshjeve, fillimisht në zonat veriore dhe veriperëndimore” tha Osmani për Euronews Albania.

Sa i përket temperaturave, meteorologu tha se fillimi i javës do të sjellë rritje graduale të temperaturave.

“Në zonat malore, temperaturat deri të mërkurën do të arrijnë 14–15°C, maksimalet deri në 19°C. Në ultësirën perëndimore, temperaturat e mëngjesit do të shënojnë deri në 21°C, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet që të luhaten nga 24°C deri në 32°C. Në orët e mesditës, maksimumet mund të arrijnë deri në 36°C në qytete si Tirana, Berati dhe Elbasani. Dita e enjte do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave, kryesisht në mesditë, ndërsa nga e premtja parashikohet rritje sërish, me maksimale deri në 32–33°C. E enjtja do të shoqërohet me vranësira dhe reshje në formën e rrebesheve, më të dukshme në Kosovë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut reshjet do të jenë më të pakta. E premtja dhe fundjava do të karakterizohen nga vranësira të shpeshta, sidomos gjatë pasdites”, tha Osmani.


Shtuar 8.09.2025 16:18

Tags: ,