Parashikimi i motit 20 Mars 2025, kthjellime dhe vranësira

Ditën e sotme, parashikohet rritje graduale e vlerave barike, duke sjellë në territorin Shqiptar mbizotërim të motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta e kalimtare, ku më të theksuara kthjellimet do të jenë përgjatë shtrirjes Perëndimore.

Ndërsa alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta, do të ketë në zonat malore verilindore dhe juglindore. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme si në vlerat minimale edhe maksimale, duke u luhatur nga 1°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Pukës, deri në 15°C vlera maksimale e cila pritet në Durrës dhe Sarandë.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi Veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.


Shtuar 20.03.2025 07:51

Tags: