Parashikimi i motit 10 Korrik 2024, i nxehti afrikan “mbërthen” Shqipërinë, temperaturat mbi 40°C

Depërtimi i mëtejshëm i masave ajrore afrikane, do të bëjë që Shqipëria të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe temperatura shumë të larta në të gjithë territorin.

Orët e pasdites do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore megjithatë nuk priten reshje.

Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në vlerat minimale, por rriten ndjeshëm në vlerat maksimale duke u luhatur nga 15°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 41°C vlera maksimale, e shënuar në qytetin e Beratit dhe Elbasanit.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare si në tokë dhe në det, duke arritur shpejtësinë mbi 30 km/h nga drejtimi perëndimor-veriperëndimor, për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.


Shtuar 10.07.2024 08:07