Paraqitja dinjitoze e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dekoron futbollistët

Presidentja Vjosa Osmani, ka dekoruar futbollistët e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritës, pavarësisht se nuk u kualifikuan në Botërorin 2026.

Osmani u shpreh se futbollistët e kanë veshur me krenari fanellën e Kosovës dhe i përgëzoi ata për punën e bërë.

Të lidhura

None found

Ndër të tjera, presidentja deklaroi se dekorata iu dha për shkak të përfaqësimit dinjitoz të shtetit në arenën ndërkombëtare.

“Pavarësisht rezultatit, ju do të qëndroni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që e keni bërë popullin tonë krenar. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe mbi të gjitha një frymëzim i fuqishëm për brezat që do të vijnë.

Bazuar në kompetencat e mia kushtetuese si President i Republikës së Kosovës, kam vendosur ta dekoroj Ekipin Kombëtar të Futbollit të Republikës me Medaljen Presidenciale të Meritës, me motivacionin: Për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë vendit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve të Kampionatit Botëror. Dhe jo vetëm me shpresë, por me besim të plotë se rruga përpara do të jetë shumë, shumë më e ndritshme. Të nderuar përfaqësues të Ekipit Kombëtar, duke ditur se shumica e lojtarëve tashmë janë kthyer në vendet ku punojnë dhe luajnë, jam i nderuar që ju kam si përfaqësues sot “nga institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës për të pranuar këtë dekoratë në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilëve u keni dhënë emocione dhe… krenari”, tha ajo.

Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, trajneri i Kosovës, Franko Foda, dhe futbollistët Vedat Muriqi dhe Valon Berisha. Kapiteni në këto ndeshje, Vedat Muriqi, tha se fati nuk e favorizoi Kosovën në ndeshjen kundër Turqisë.

“Pra, shpresojmë që në të ardhmen të kemi një brez shumë të mirë, një brez i artë po vjen, ende nuk e kemi arritur brezin e artë. Jam shumë krenar me veten që jam pjesë e stafit të Kosovës. Si kapiten i Kosovës kisha një dëshirë shumë, shumë të madhe për të udhëhequr ekipin në Amerikë, por ndonjëherë fati nuk të shoqëron. Pra, ju falënderoj të gjithëve, në emër të ekipit, dhe shpresoj që herën tjetër të jemi në një kualifikim për Kampionatin Evropian ose Botëror”, tha Muriqi.


Shtuar 1.04.2026 12:53