Parandalohet atentati në Shkodër, forcat xhenerike gjejnë tritol poshtë makinës së drejtores së operatorit të kujdesit shëndetësor

Specialist te Xhenios nga RENEA bënë shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë në Shkodër. Në pakon e vënë poshtë makinës së drejtores së operatorit të kujdesit shëndetësor, Suida Kuka, u gjet lëndë plasëse.

Suida Kuka
Suida Kuka

Alarmi u ngrit pasditen e sotme, dhe policia rrethoi menjëherë zonën.

Kohët e fundit ka pasur shumë raste të pakove dhe çantave të dyshimta, por thuajse në të gjitha rastet kanë rezultuar alarm i rremë.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, në afërsi të një mjeti “Range Rover”, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se:

Në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit./albeu.com