Paralajmëron sinoptikani: Bëhuni gati, ja deri kur do të zgjasë vala ‘afrikane’

Ndryshimet klimatike kanë bërë që shprehja “gusht e gunë” të mos gjejë më zbatim në Shqipëri. Kjo pasi, duke nisur nga fundjava, vendi ynë do të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan me temperatura 40 gradë në hije.

“Do të vijojnë gradualisht të rriten temperaturat e ajrit si pasojë e kësaj vale të të nxehtit, duke bërë që fundjava të jetë ajo e cila do të ketë temperaturat më të larta për sa i përket kësaj jave, duke bërë që në dy qarqet Elbasan dhe Berat pritet që temperaturat të jenë në vlerat 40 gradë të matura në hije.” – tha Hakil Osmani.

Vala e të nxehtit do të prekë edhe bashkitë e tjera, përfshi edhe Tiranën.

“Po ashtu, me temperatura të larta do të jenë kryeqyteti, Shkodra, Gjirokastra, po ashtu në vlerën 39 gradë. Edhe ultësira do të luhatet në vlerat 36–38 gradë.”

Kjo valë e të nxehtit do të vijojë deri në mesin e javës tjetër.“Do të vijojë kjo valë e të nxehtit edhe përtej javës që vjen, duke bërë që maksimalet të luhaten 39–40 gradë në zona të izoluara. Temperaturat e larta do të zgjasin deri në 7 ditë.”

Sipas sinoptikanëve, muaji gusht po shënon temperatura 6 gradë mbi normalen, duke bërë që vendi të jetë i përfshirë nga ditë të tëra të nxehti.


Shtuar 6.08.2025 17:10

Tags: ,