Parakalim i gabuar, dënohet me 3000 lekë inspektori i policisë rrugore në Elbasan

Policia e Elbasanit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shihet një makinë policie e cila bën parakalim të gabur.

Në reagimin e policisë thuhet se pas publikimit të kësaj video-je, shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij automjeti, punonjësin e Policisë inspektor A. B., me masën administrative maksimale për shkeljen e kryer (3000 lekë të rinj), bazuar në pikën 15, të paragrafit të 2-të, të nenit 146 të Kodit Rrugor.

Drejtuesi i automjetit, inspektor A. B. ka bërë shlyerjen e menjëhershme të masës administrative.

Gjithashtu, për punonjësin e Policisë inspektor A. B. ka nisur hetimi administrativ, për shkelje të lehtë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit


Shtuar 12.08.2023 21:00