Paqja fiskale/ Rama takim me bizneset: Nga Janari nisim zbatimin, për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm me 5%

Në një takim me bizneset, kryeministri Edi Rama, theksoi se nga viti që vjen do të nisë zbatimi i Paqes Fiskale.

Kreu i qeverisë, tha se me këtë nismë do të ndërtojnë një urë të re besimi e ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.

Sipas tij, “paqe” do të bëhet me ata biznese që nuk janë në konflikt me ligjin dhe nuk janë në procese gjyqësore që afektojnë legjitimitetin e të ardhurave.

Rama tha se, “ky rishikim jep mundësi sipërmarrjeve të vetëkorrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara, dhe duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin sesa tatimi që paguani rregullisht”.

Ai tha se për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi do të tatohet vetëm 5 përqind. Kjo, sipas kreut të qeverisë, do të rrisë formalizimin dhe nuk e cenon integritetin ligjor.

“Kjo rrit formalizimin, nuk cenon integritetin ligjor të të gjithë këtij ndërveprimi dhe ndihmon një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë tek puna dhe sfidat e veta pa pasur barrën e të metave të të shkuarës”, shtoi ai.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Paqja fiskale është zotim i yni i fushatës elektorale. Sot është ligj. Pavarësisht disa debateve, të cilat nuk e adresuan dot thelbin e kësaj nisme, ne sot jemi në kushtet kur duke filluar nga janari i vitit që vjen mund ta zbatojmë këtë nismë. Është një nismë, në radhë të parë, për të ndërtuar një urë të re besimi e ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Nuk është shpikje e jona. Vetë togfjalëshi paqe fiskale ka lindur në Romën e vjetër dhe është një instrument i përdorur me mijëra vjet tanimë.

Së dyti, është instrument për t’i dhënë mundësi të gjithë sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin, në procese hetimore apo gjyqësore dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitimë, që të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale të viteve të shkuara. Ky rishikim jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjohen, vetëkorrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara, dhe duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin sesa tatimi që paguani rregullisht.

Pra, për çdo pasqyrë të korrigjuar fitimi tatohet vetëm 5 përqind. Kjo rrit formalizimin, nuk cenon integritetin ligjor të të gjithë këtij ndërveprimi dhe ndihmon një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë tek puna dhe sfidat e veta pa pasur barrën e të metave të të shkuarës.

Kjo shkon në paralele me një adresim të përgjithshëm të gjobave, të cilat sipas periudhave dhe vjetërsisë së tyre shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes disa kësteve prapë me lehtësira. Ashtu sikundër sigurisht, ë themel, paqja fiskale, ka marrëveshjen me sipërmarrjen mbi përcaktimin e tavanit të ri të fitimit.

Që dmth që bazuar në një projeksion shkencor të fitimit mbi fitimin e viteve të shkuara plus mbi rritjen ekonomike të pritshme dhe mbi propozimin për të pranuar si të vitit një shifër X administrata dhe sipërmarrja bien dakord dhe nuk ka më asnjë lloj inspektimi, kontrolli e problematike administrative e burokratike që rëndon shumë më tepër sesa barra fiskale.


Shtuar 23.12.2025 13:08