Papa Leone XIV bën thirrje për paqe globale në lutjen e parë të së dielës

Papa i ri Leone XIV, përdori lutjen e tij të parë të së dielës në sheshin e Shën Pjetrit, për të bërë thirrje për paqe për të gjithë botën, duke kërkuar edhe fundin e luftërave në Ukrainë dhe Gaza.

Nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, kreu i ri i Kishës Katolike u bëri thirrje dhjetëra mijëra njerëzve “Kurrë më luftë!”.

Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara, i njohur më parë si kardinali Robert Francis Prevost, u brohorit me zë të lartë herë pas here nga 100 000 persona të mbledhur në Vatikan.

Leone XIV bëri thirrje për një paqe të drejtë në Ukrainë, një armëpushim në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga ekstremistët islamistë.

Turmat brohoritën me zë të lartë, duke thirrur vazhdimisht emrin e tij në italisht: “Leone, Leone!”.

Ish-misionari 69-vjeçar dhe kreu i Urdhrit Augustinian u zgjodh të enjten si pasardhës i Françeskut, duke u bërë papa i 267-të në historinë e Kishës Katolike Romake.

Konklava zgjati më pak se 24 orë. Dje, papa i ri bëri një nga udhëtimet e tij të para jashtë Vatikanit për të vizituar varrin e paraardhësit të tij.

Ai u çua në kishën Mariane të Santa Maria Maggiore në Romë, ku Françesku u varros muajin e kaluar. Në varr, i cili mban mbishkrimin e thjeshtë latin “Franciscus”, Leone XIV u lut për të.


Shtuar 11.05.2025 14:15