Papa Françesku, nënvizoi sot rolin e rëndësishëm të grave dhe nënave në kishë, shoqëri dhe paqen botërore, në një meshë në ditën e Vitit të Ri.
“Bota duhet të shikojë te nënat dhe gratë për të gjetur paqen, për të dalë nga spiralet e dhunës dhe urrejtjes dhe për të rifituar një vështrim njerëzor dhe një zemër që sheh”, tha kreu i Kishës Katolike në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Gjithashtu, kisha Katolike feston tradicionalisht Ditën Botërore të Paqes më 1 janar.
Duke pasur parasysh luftërat dhe konfliktet në botë, papa 87-vjeçar u tha rreth 7 000 besimtarëve se “kohët tona pa paqe kanë nevojë për një nënë që bashkon edhe një herë familjen njerëzore”.
”Për më tepër, çdo shoqëri duhet të respektojë dhe mbrojë gratë”, theksoi ai. “Kushdo që dëmton qoftë edhe një grua, po blasfemon Zotin, i cili ka lindur nga një grua”, tha papa.
”Kisha gjithashtu ka nevojë për gra dhe nëna që të njohë fytyrën e saj femërore dhe të bëhet një Kishë e kujdesit dhe e shërbimit si dhe e durimit dhe e guximit të nënës”, tha ai.