Një atentat mafioz ishte ai i regjistruar pasditen e sotme në afërsi të aeroportit të Rinasit. Në pritë ranë Gilmando Dani, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili mbeti dhe viktimë, ndërsa i plagosur mbeti Muçi Shaljani, prej 3 muajsh agjent pranë Autoritetit të Mbikqyrjes Policore (AMP).
Dani pasagjer dhe Shaljani shofer, dy miq që sapo kishin mbërritur në Rinas nga Barcelona, dhe në parkingun e brendshëm morën automjetin tip ‘Benz s-class’ i bardhë me targë AB 099UO, i cili rezulton të jetë në pronësi të Elvis Kosovës, një person i njohur për policinë.
Këtij të fundit në orënt e para të mëngjesit të 24 korrikut, i vendosën një sasi tritoli në portën hyrëse të garazhit të tij në rrugën ‘Peti’ pranë Liqenit të Thatë në Tiranë. Elvis Kosova zotëron një biznes për shitblerje makinash ndërsa në gusht të vitit 2024 ai u ndalua për vjedhjen e një makine luksoze “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro, që ishte sjellë fillimisht nga Gjermania nga një turk, dhe më pas ishte përvetësuar nga Elvis Kosova përmes mashtrimit.
Pasioni i tij janë garat e shpejtësisë dhe shpesh ka marrë pjesë në kompeticone të ndryshme, ku e njohin si “Visi i garave”.
Por kush është lidhja e një personi të liruar me kusht nga drejtësia pasi pjesën më të madhe të lëshuar nga gjykata prej 12 vitesh burg, i kreu në paraburgim i akuzuar për ‘gjobvënie’, një punonjësi të AMP-së dhe biznesmenit Kosova, i skeduar më parë për krime.
Automjeti Benz u qëllua me breshëri plumbash nga ana e shoferit. Plumbat depërtuan tej duke lënë të vdekur dhe pasagjerin Gilmando Danin. Autorët pas ngjarjes kanë udhëtuar drejt Fushë Krujës ku kanë djegur automjetin pranë një përroi në fshatin Hilë. Brenda kishin lënë dhe municionin, 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë, të cilat janë dërguar për ekepertizë.



