VIDEO/ Pamjet satelitore: Si u pushtua baza e ushtrisë nga koncensionari në Porto Romano, punimet nisën verën e kaluar, SPAK hap dosjen

Pamjet satelitore tregojnë se si u kryen punime pa leje në depon e minave të ushtrisë nga koncensionari Porti MBM në Porto Romano , SPAK nisi hetimet pas denoncimeve publike. 

Zhvatja e pronave të ushtrisë duket të jetë tulla e fundit që i hiqet sigurisë kombëtare të vendit duke ekspozuar kështu edhe NATO-n për aq kohë sa ushtria jonë është pjesë e saj.

SPAK ka nisur hetimet tashmë në lidhje me pushtimin e territorit të ish-bazës së minave detare në Porto Romano nga kompania koncenesionare Porti MBM, në pronësi të Kastrati Group dhe Europetrol Durrës Albania SHA.

Gjithçka ndodh pas denoncimeve publike të ish-ushtarakëve të lartë, denoncimeve në media si edhe tre padive të mëparshme të Ministrisë së Mbrojtjes në Prokurorinë e Durrësit për punime pa leje në territorin e pronës së ushtrisë në Porto Romano.

Punimet pa leje në këtë zonë ushtarake, pa marrë asnjë miratim qoftë nga qeveria apo vetë Ministria e Mbrojtjes kanë nisur prej muajsh, por deri pak ditë më parë askush nuk ishte ndjerë.

AlbEu konstaton se punimet pa leje në këtë territor kanë nisur të paktën që prej verës së vitit të kaluar.

Të paktën kjo është ajo që duket nga pamjet satelitore të konsultuara nga AlbEu, të cilat datojnë në nëntor të vitit 2022. Në këtë datë kur janë marrë këto pamje duket se ish-baza e minave detare është zaptuar nga punime nga të gjitha anët e saj duke pushtuar të gjithë territorin e që i përket (shiko pjesën e rrethuar me të kuqe).

Si u gllabërua baza e ushtrisë nga koncensionari në Porto Romano, punimet nisën verën e kaluar, SPAK hap dosjen
Pjesa me të kuqe është territor i bazës së ushtrisë. Nga te katra anët e depos së minave detare janë kryer punime duke nisur nga vera e vitit 2022

Edhe pse tre godina të rrënuara mbeten ende në këmbë, ato janë thuajse të shkatërruara dhe u janë hedhur mbejtje sipër në pritje të goditjes së radhës, pra shembjes dhe marrjes së tokës pa shumë zhurmë.

Siç shihet nga pamjet e siguaruara nga AlbEu, anash ish-depove të minave janë kryer punime dhe është hapur një rrugë e madhe ku kalojnë kamionët me interte që hidhen në pjesën tjetër të kodrës krah kësaj godine.

Situata duket shumë flagrante pas inga pamjet satelitore konstatohet se punimet janë kryer në të gjithë perimetrin përreth këtyre godinave edhe pse edhe toka aty i përket ushtrisë.

Të pahedhura në tokë janë vetëm tre godina, ndërsa gjithçka përreth, përfshi edhe kodrën është “palosur” përdhe për të hapur sheshin në shërbim të koncensionarit Porti MBM.

Zaptimi i bazave detare

Ishte fillimisht GJKKO, e cila sekuestroi bazën e Limionit në Sarandë, e cila i ishte dhënë bashkimit të kompanive Kastrati Group dhe Edil Al për të ndërtuar një resort turistik dhe një port.

Lexo edhe: Zaptimi i pronave të ushtrisë, kush e ka radhën për në SPAK pas Xhaçkës dhe Kollçakut? Deri ku do të shkojë bisturia e prokurorëve pas cënimit të sigurisë së NATO-s?

Siç ka raportuar më herët AlbEu, bëhet fjalë për një hapësirë gati 260 mijë metër katror, të cilat hiqen nga përdorimi i Forcës Detare dhe jepen për shfrytëzim për qëllime private. Sekuestroja e GJKKO-së do të vijojë deri në përfundimin e hetimeve nga SPAK. Prokurorët e SPAK kanë marrë deri më tani në pyetje ministren Olta Xhaçka që më herët ka patur detyren e ministres së Mbrojtjes, si edhe ish-kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyll Kollçaku. Pritet që SPAK të mos mjaftohet vetëm me këta të dy, por të shtrijë hetimet edhe te aktorët e tjerë.

Porto Romano

Situata duket edhe me flagrante sa i përket Porto Romanos, pasi pa asnjë leje apo vendim të institucioneve, koncensionari “Porti RMB”, në pronësi të kompanive “Kastrati Group” dhe “Europetrol Durrës Albania” janë zgjeruar në drejtim të territorit të ish-depos së minave detare që ndodhej ngjitur me pronën e marrë me koncension nga kompanitë në fjalë.

Fillimisht kjo alarmoi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bëri tre padi në Prokurinë e Durrësit siaps ministrit Niko Peleshi. Por, kur duket se prokuroria e Durrësit nuk po “çante” dot më përballë pushtetit politik dhe ekonomik, ndërhyri SPAK duke nisur vetë hetimet.

Ndërkohë, nuk është hera e parë që Porto Romano është nën radarin e njësive të inteligjencës perëndimore nisur edhe për shkak të “pehlivanllëqëve” që bëhen herë pas here me naftë ruse dhe libiane kontrabandë.

Hetimet e SPAK pas denoncimeve publike mbi punimet nga koncensionari në Porto Romano

Pavarësisht se shteti shqiptar është mësuar që të tregohet i butë ndaj oligarkëve që kanë përvetësuar gjithçka publike gjatë këtyre 20 viteve të fundit, duket se zullumi është këputur pikërisht kur duart e zgjatura të tyre kanë prekur në pronat e ushtrisë, gjë e cila duket se ka alarmuar edhe partnerët euroatlantik.

Në kushtet kur balancat e fuqisë dhe sigurisë kanë ndryshuar shumë në Europë pas luftës në Ukrainë, prekja e bazave të një ushtrie të NATO-s siç është ajo shqiptare duket se ka ndezur sinjalet e alarmit te ndërkombëtarët si edhe vetë SPAK, të cilët kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje.

Lexo edhe: Zaptimi i pronave të ushtrisë, SPAK nis hetimet edhe për Porto Romanon: Si u gllabërua ish-depoja e minave

Jo më kot, SPAK u fut furishë në çështjet e hetimit të zhvatjes së ish-depos së minave detare të ushtrisë në Porto Romano pavarësisht se më herët vetë ministria e Mbrojtjes kishte bërë tre padi penale në Prokurorinë e Durrësit.

Kur futet SPAK në lojë duket se gjërat kanë nisur të rrokullisen pa kthim pas për ata që kanë guxuar të prekin edhe bazat e ushtrive të NATO-s.

Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe një ambasador i rendësishëm perëndimor në një takim me gazetarët, priten shumë ndryshime pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri sa i përket çështjeve “non grata” dhe duket se fshesa do të shtrihet edhe te biznesmenët krahas politikanëve të korruptuar. /AlbEu.com

 


Shtuar 13.04.2023 10:44