Pamjet që “fundosën” vrasësit e Nikulajt, lëvizjet e informatorëve brenda hotelit të biznesmenit (VIDEO)

Gjashtë persona, katër britanikë, një portugez dhe një shqiptar dyshohet se kanë planifikuar ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 prill.

Ruben Saraiva me kombësi portugeze dyshohet se është ekzekutori, ndërsa vrasja është urdhëruar dhe planifikuar nga Edmon Haxhia, me kombësi shqiptare.

Ishin pamjet e kamerave të sigurisë ato që bindën hetuesit për lidhjen mes 6 personave të shpallur në kërkim dhe përfshirjen e tyre në vrasjen e biznesmenit.

Albeu.com ka siguruar një video të administruar nga grupi hetimor ku janë fiksuar lëvizjet e autorëve para ekzekutimit të biznesmenit më 19 Prill.

Aty shfaqen 4 shtetasit britanikë, që në këtë ngjarje kishin rolin e vëzhguesit mes të cilëve dhe një vajza që shihni në foto.

Personat shfaqen duke hyrë në hotel ‘Coral’, në pronësi të viktimës nën shoqërinë e shtetases angleze, Harriet Bridgeman.

Duke u prezantuar si turistë, lokalin e viktimës e frekuentonin shpeshherë edhe britanikët e tjerë, të cilëve u ishte ngarkuar detyra për të vëzhguar lëvizjet e biznesmenit 51-vjeçar.

Ndërsa këto janë pamjet kur britaniku Harry Simson, hyn në restorant Coral. Fillimisht ai komunikon me një nga personat e punësuar dhe më pas ulet në një prej tavolinave. Siç shihet në këtë video, në dorë ai ka telefonin me të cilin komunikon dhe që sipas grupit hetimor raporton për lëvizjet në brendësi të lokal.

Çdo informacion i përftuar nga 4 vëzhguesit britanikë, hetuesit dyshojnë se i përcillej vrasësit portugez, Ruben Saraiva. Ky i fundit ndonëse është kujdesur për të mos u ekspozuar në kamerat e sigurisë i pamaskuar, policia dhe prokuroria ka përftuar pamje të tij vizive para vrasjes.

Tv Klan ka siguruar edhe këto foto të marra nga disa kamera sigurie ku shihet vrasësi portugez teksa lëviz me një makinë tip ‘Golf’ së bashku me Edmond Haxhian.

Ky automjet rezultoi i marrë me qira disa javë para ekzekutimit të Ardian Nikulajt nga Edmond Haxhia, i cili rezulton djali i dajës së personave me të cilët viktima ishte në hasmëri prej më shumë se 20 vitesh (fisi Lekstakaj).

Pamjet e përftuara, makinat e sekuestruara, motori dhe veshjet e përdorura nga autori sipas policisë dhe prokurorisë kanë provuar dhe dokumentuar se të gjithë mekanizmin e vrasjes së biznesmenit 51 vjeçar, në lokalin e tij në Shëngjin mesditën e 19 Prillit./Albeu.com/