“Paketoi” në “Range Rover” 10 emigrantë, arrestohet 29 vjeçari që i premtoi klandestinëve BE-në

Policia e Elbasanit ka arrestuar një 29-vjeçar i cili u kap duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm. I riu i kishte premtuar emigrantëve një vend të BE kundrejt pagesës.

I arrestuari është 29-vjeçari Shpëtim Memolla, nga Peqini.

Ai ishte duke kaluar në autostradën Elbasan-Tiranë me mjetin e tij tip “Range Rover” ku u pikas nga policia. Fillimisht i riu nuk i është përgjigjur thirrjes së efektivëve dhe është larguar nga vendngjarja.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin luksoz, si dhe ka bërë të mundur arrestimin e të riut.

Njoftimi i Policisë:
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kap në flagrancë duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 29-vjeçari që ushtronte këtë aktivitet kriminal.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte në drejtim të Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

Shpëtim Memolla, 29 vjeç, banues në Peqin. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, duke transportuar me një mjet tip “Range Rover”, 10 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 50 euro për person, si dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan mjeti tip “Range Rover”, një aparat celular dhe një sasi parash.


Shtuar 31.08.2021 10:53