Paketa e masave për ndërtimet pa leje, Rama: Do fusim në ligj dhe përgjegjësinë drejtpërdrejt të symbylljes

Kryeministri Edi Rama foli mbrëmjen e sotme për planin e masave të qeverisë për ndalimin e ndërtimeve pa leje. Rama u shpreh në Opinion se në paketën e re të masave do të përfshihet në ligj, përgjegjësia e inspektorëve që nuk i kanë denoncuar ndërtimet e paligjshme.

“Në paketën e re që do të prezantojmë në javën e ardhshme ne do fusim në ligj dhe përgjegjësinë drejtpërdrejt të symbylljes. Nuk mund të thuash që isha inspektor dhe nuk e pashë. Do duhet të mbash përgjegjësi edhe ti, ligjore, që nuk e kemi sot. Këto janë sfida të cilat i kanë kaluar dhe jetojnë edhe sot edhe vende shumë të mëdha.”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se prishjet e godinave me qëllim fitimi do të vazhdojnë kudo.

“Shtëpia është tjetër gjë, jo se duhet ndërtuar pa leje, dhe godinat për qëllim fitimi është tjetër gjë. Ndërtimi i një shtese në shtëpi në një truall tëndin në fshat është komplet tjetër gjë dhe marrja e trotuarit në mes të Tiranës, ose marrja e këtij oborri brenda lagjes për të bërë çfarë të duash ti, janë hequr”, tha ai.

Ai u shpreh se do të përdoret teknologjia dhe nga ana tjetër do të rishikohet skema e policive bashkiake dhe e inspektorateve.

“Me masën e re ligjore do duhet të përgjigjen para ligjit. Kjo është historia ime edhe pak personale. Ti e di shumë mirë që fillimi i prishjeve ka qenë kur hyra në Bashkinë e Tiranës. E di që kjo është histori e gjatë, por unë nuk e lë këtë histori pa e mbyllur”, shtoi më tej ai.


Shtuar 4.09.2025 22:38