Paketa e Maleve/ Kryebashkiaku i Kukësit dorëzon hartat, qeveria miraton zonat prioritare për zhvillim

Këshilli i Ministrave ka miratuar zonat prioritare për zhvillim në bashkinë e Kukësit. Ky vendimi vjen afro tre javë pas takimit të kryeministrit Rama me kryebashkiakët e vendit. Gjatë takimit, Kryeministri i kritiko ashpër kryebashkiakët për neglizhencë, pasi nuk kishin dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave Paketën e Maleve.

VKM:

V E N D I M PËR SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË KUKËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, në territorin e Bashkisë Kukës, të zonave, si më poshtë vijon:

a) Zona nr.1, pjesë e Njësisë Administrative Bicaj, me sipërfaqe 253.55 (dyqind e pesëdhjetë e tre pikë pesëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;

b) Zona nr.2, pjesë e Njësisë Administrative Bicaj, me sipërfaqe 398.18 (treqind e nëntëdhjetë e tetë pikë tetëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;

c) Zona nr.3, pjesë e Njësisë Administrative Arren, me sipërfaqe 255.56 (dyqind e pesëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto.

2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:

a) të zhvillimit ekonomik;

b) industrial;

c) turistik.

4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Kukës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU


Shtuar 12.11.2025 22:37