“Paketa e Maleve”/ Anila Denaj: 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre

Që prej 11 korrikut pas hapjes së aplikimeve për masat lehtësuese të parashikuara në ligjin e quajtur “Paketa e Maleve”, 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se; “përmes kësaj nisme, çelet një epokë e re për zhvillimin dhe rijetëzimin e zonave malore, duke çliruar një potencial të ri për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, përmes nxitjes së investimeve”.

Paketa parashikon që për 500 aplikuesit e parë të ofrohen disa lehtësi, duke përfshirë përjashtim nga taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimi mbi të ardhurat, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe taksa për infrastrukturën për një periudhë prej 10 vjetësh.

Gjithashtu, Denaj tha se, “me mundësinë për të fituar pronësinë mbi tokën për vetëm 1 euro dhe duke përfituar lehtësira fiskale për 10 vite, kjo paketë do të rrisë punësimin dhe përmirësimin e jetesës, duke garantuar zhvillim rural të qëndrueshëm”.

Qëllimi kryesor i kësaj pakete, është të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malore të vendit, kryesisht ato të veriut.


Shtuar 28.07.2025 10:42